Lufta kundër COVID-19 është një luftë totale. Kina duket se e ka fituar betejën e parë.
Hong-Kongu, Tajvani, Singapori dhe Japonia gjithashtu kanë patur dukshëm sukses në “zbutjen e shpërthimit”, pa dyshim për shkak të përvojave të tyre në trajtimin e epidemisë SARS të vitit 2003.
Evropa dhe Shtetet e Bashkuara, nga ana tjetër, thjesht janë zgjuar nga iluzionet e tyre. Si rezultat, epidemia tani po përhapet në të gjithë Perëndimin.
Vendi perëndimor më i goditur deri më tani është Italia, e cila ka lidhje veçanërisht të forta ekonomike me Kinën. Italia Veriore tani është Wuhan-i i ri (qyteti kinez ku u shfaq koronavirusi për herë të parë).
Ndërkohë, megjithëse deri më tani Gjermania ka pasur shumë pak vdekje, numri i infektuarve tani po rritet shumë më shpejt sesa kudo tjetër. Në përgjigje të krizës, ngjarjet publike në të gjithë vendin janë anuluar. Nxënësve të shkollës u është thënë të qëndrojnë në shtëpi. Dhe Austria, nga ana e saj, ka kohë që ka mbyllur kufirin e saj me Italinë. Shkollat, universitetet dhe shumica e dyqaneve austriake gjithashtu janë mbyllur. Fillimisht, Franca nuk mori ndonjë masë të ashpër, por tani ajo ka mbyllur edhe shkollat, restorantet dhe dyqanet e saj, siç ka bërë Spanja. Danimarka, Polonia dhe Republika Ceke kanë mbyllur kufijtë e tyre me Gjermaninë.
Presidenti amerikan Donald Trump ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme kombëtare. Kongresi ka miratuar një program urgjence prej $ 8,3 miliardë për të financuar përpjekjet për të frenuar epideminë. Qeveria federale ka ndaluar edhe udhëtarët e huaj, së pari nga Kina dhe Irani, dhe tani nga Evropa.
Në nivel global, jo të gjitha përgjigjet ndaj krizës kanë qenë të duhurat. Më shqetësuese është se disa qeveri kanë bindur veten se ata thjesht mund të ngadalësojnë përhapjen e virusit, në vend që të ndërmarrin hapat e nevojshëm për ta ndaluar atë plotësisht. Mbipopullimi i parashikueshëm i spitaleve në shumë zona të prekura tashmë ka ekspozuar marrëzinë e një vetëkënaqësie të tillë.
Në frontin ekonomik, një recesion i rëndë nuk mund të shmanget më. Por, ky rekomandim është i papërshtatshëm, duke marrë parasysh që ekonomia globale po vuan nga një tronditje e paparë e furnizimit.
Të njëjtat argumente vlejnë për mbështetjen e likuiditetit. Bota tashmë është e zhytur në likuiditet, me normat nominale të interesit afër ose nën zero pothuajse kudo.
Rënia e veprimtarive ekonomike e bën të pashmangshëm rrëzimin e tregjeve të aksioneve.
Ajo që është me të vërtetë e nevojshme janë masat fiskale për të shpëtuar kompanitë dhe bankat nga falimentimi, në mënyrë që ata të mund të shërohen shpejt pasi të mbarojë pandemia.
Por, më e rëndësishmja, të gjitha qeveritë duhet të ndjekin Kinën në ndërmarrjen e veprimeve të drejtpërdrejta kundër COVID-19. Askush nuk duhet të kufizohet nga mungesa e fondeve. Njësitë e kujdesit intensiv spitalor duhet të zgjerohen; spitalet e përkohshëm duhet të ndërtohen; dhe respiratorët, pajisjet mbrojtëse dhe maskat duhet të prodhohen në masë dhe të vihen në dispozicion të të gjithë atyre që kanë nevojë për to.
Përtej kësaj, autoriteteve të shëndetit publik duhet t’u jepen burimet dhe fondet e nevojshme për dezinfektimin e fabrikave dhe hapësirave të tjera publike. Testimi në shkallë të gjerë i popullatës është veçanërisht i rëndësishëm. Identifikimi i secilit rast mund të shpëtojë shumë jetë.
T’i dorëzohesh pandemisë thjesht nuk është një opsion.
Hans-Werner Sinn, Profesor i Ekonomisë në Universitetin e Mynihut, ishte President i Institutit Ifo për Kërkime Ekonomike dhe shërben në Këshillin e ministrisë gjermane të ekonomisë.
Përkthyer dhe përshtatur nga Project Syndicate/ konica.al