Presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi sot se do të pezullojë për 30 ditë të gjitha udhëtimet nga Evropa për në SHBA, duke filluar nga e premtja në mesnatë.
Në fjalimin e mbajtur nga Shtëpia e Bardhë të mërkurën mbrëma, ai tha se kufizimet “e forta por të nevojshme” përjashtojnë Britaninë. “Këto kufizime do të përshtaten në varësi të kushteve në terren,” tha presidenti. Ai shtoi se do të ketë përjashtime “për amerikanët që kanë kaluar nëpër kontrollet e duhura,” por nuk dha detaje.
Fjalimi vjen pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë e shpalli koronavirusin një pandemi globale. Presidenti Trump tha se masat e forta për të frenuar përhapjen e koronavirusit në SHBA janë përpjekja më agresive dhe e gjithanshme për t’u përballur me një virus të panjohur në historinë moderne.
“Ka rëndësi se si përgjigjesh dhe ne po përgjigjemi me shpejtësi dhe profesionalizëm të madh,” tha Presidenti Trump. Ai tha se ka besim se me këto masa të rrepta, SHBA do të arrijnë të ulin ndjeshëm kërcënimin ndaj qytetarëve dhe se virusi më në fund do të mposhtet.
Por duket se BE ka ngelur e pakënaqur për sa i përket vendimit të Trumpit!
Bashkimi Evropian tha të enjten se vendimi është marrë “në mënyrë të njëanshme” dhe “pa konsultime”.
“Koronavirusi është krizë globale, nuk është i kufizuar në ndonjë kontinent dhe kërkon bashkëpunim në vend të veprimit të njëanshëm”, thanë përmes një deklarate të përbashkët presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.
“Bashkimi Evropian është duke ndërmarrë veprime të fuqishme për të kufizuar përhapjen e virusit”, thanë ata.
Dhjetëra vende të Evropës janë prekur nga një koronavirus i ri, që besohet se e ka origjinën në Kinë. Vendi i goditur më se keqi është Italia, me mbi 12,000 njerëz të infektuar dhe me mbi 820 të vdekur.
Rastet e para me koronavirusin, i cili shkakton sëmundjen e identifikuar si COVID-19, janë shfaqur në Vuhan të Kinës në muajin dhjetor. Simptomat që i shkakton kjo sëmundje janë të ngjashme me pneumoninë. Në SHBA janë mbi 1,300 raste të konfirmuara me koronavirus, ndërsa 38 pacientë kanë humbur jetën.