Largimi i afërt i Angela Merkel si Kancelare e Gjermanisë në 2021 tashmë është duke nxitur spekulime për zëvendësimet e mundshme, dhe një ish-eurodeputet gjerman beson se ekziston vetëm një person që mund të zëvendëson me sukses dhe që e kupton rrezikun që Brexit i paraqet BE-së.
Merkel është zotuar të lërë rolin që ajo ka mbajtur që nga viti 2005 vitin e ardhshëm, por ajo që ndodh pas kësaj nuk është aspak e sigurt, edhe sepse pasardhësja e saj, Annegret Kramp-Karrenbauer, dha dorëheqjen si drejtuese e partisë së Merkel.
Hans-Olaf Henkel, i cili u tërhoq nga Parlamenti Evropian vitin e kaluar, identifikoi katër kandidatë kryesorë: Armin Laschet, Kryeministër i Veri-Rhine-Westphalia; Norbert Roettgen, Drejtues i Komitetit të Punëve të Jashtme në Bundestag; Markus Soder, Kryeministri i Bavarisë, i cili nuk ka deklaruar ende interesin e tij; dhe Friedrich Merz, ish-Drejtuesi i CDU në Bundestag.
Merz, Laschet dhe Roettgen të gjithë kanë deklaruar kandidaturën e tyre për udhëheqjen e CDU, me Merz që e kërkon edhe tani postin pavarësisht se u mposht nga Kramp-Karrenbauer, dy vjet më parë.
Henkel i tha Express.co.uk: “I preferuari im do të ishte Merz. Pas koronavirusit, përparësia duhet të jetë ringjallja e ekonomisë. Merz është i vetmi që ka përvojë në biznes. Të tjerët me siguri do të vazhdojnë në drejtimin e Merkelit, veçanërisht në lidhje me refugjatët, ndërhyrjet e shtetit në ekonomi dhe politikat iluzionuese të energjisë.”
Henkel, i cili është gjithashtu një ish-President i Federatës së Industrive Gjermane (BDI) tha: “Merz është një mbështetës i fortë i marrëdhënieve të mira transatlantike, të NATO-s.
“Merz është për një financim më të fortë, më pak borxhe, më pak burokraci dhe më pak taksa në krahasim me Merkel dhe kandidatët e tjerë”, tha ai.
Henkel, një kritik i ashpër i burokracisë dhe centralizimit të BE-së, shtoi: “Sa i përket politikave të BE-së, për fat të keq nuk ka dallim midis kandidatëve. Të gjithë janë për ‘më shumë Evropë’, mbase Merz pak më pak se të tjerët.”
Sidoqoftë, ai theksoi: “Merz e kupton më mirë se të gjithë të tjerët se sa i dëmshëm do të jetë Brexit për BE-në”.
“Nëse unë do të isha në CDU, jo vetëm që do të votoja për atë si drejtues të Partisë, gjithashtu do të votoja për të si Kandidat për Kancelar”, tha Henkel.
Në një intervistë me Deutschlandfunk këtë javë, Merz shpjegoi arsyet e tij për kandidaturën, duke theksuar përvojën e tij.
Edhe para se Kramp-Karrenbauer të bënte të ditur dorëheqjen, Friedrich Merz ishte përmendur nga analistë në Gjermani si “njeriu i fortë” për CDU-në.
Ai gjithashtu është cilësuar dhe krahu rival i Merkel, pasi e ka kritikuar kancelaren dhe në mënyrë të hapur.
Merz është ekspert financiar dhe konsiderohet si konservator dhe “person i çështjeve të mëdha”. Mbështetësit e tij shpresojnë se nën drejtimin e tij CDU mund të marrë sërish votat e Kristian Demokratëve që kanë shkuar në favor të AfD.
Në zgjedhjet për liderin e ri të CDU-së që u mbajtën në fund të vitit 2018, Merz mori 482 vota përballë 517 votave që mori AKK.
Gara, e vonuar si rezultat i pandemisë, do të zhvillohet gjatë verës.
Përkthyer dhe përshtatur nga Express UK/ Konica.al