Nafta po shfaqet e qëndrueshme në sesionin e sotëm dhe një mbështetje të lehtë po e gjen nga të dhënat jozyrtare në SHBA, që treguan një rritje të rezervave të naftës.
Gjithashtu, investitorët janë të shqetësuar se rritja e infektimeve me Covid-19 në SHBA do të dëmtojë kërkesën për naftë. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 43 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 40.5 dollarë për fuçi.
Të dy bençmarkët humbën rreth 1% të vlerës në sesionin e kaluar. Sipas të dhënave jozyrtare të Institutit Amerikan të Naftës, rezervat u rritën gjatë javës së kaluar, ndërsa rezervat e benzinës dhe karburanteve të distiluara shënuan rënie më të madhe se parashikimet. Megjithatë, investitorët po presin të dhënat zyrtare që publikohen më vonë gjatë ditës së sotme.
Ndërkohë, Administrata për Informimin mbi Energjinë në SHBA deklaroi se prodhimi i naftës parashikohet të bjerë me rreth 600 mijë fuçi në ditë, gjatë këtij viti, nga 670 mijë fuçi që vlerësohej më parë.
Gjithashtu, investitorët janë në pritje të bisedimeve të ministrave të OPEC+, që zhvillohen javën e ardhshme. Aktualisht, grupi i prodhuesve më të mëdhenj të naftës po zbaton marrëveshjen për uljen e prodhimit me 9.7 milionë fuçi në ditë, e cila do të jetë në fuqi deri në fund të këtij muaji.