MENU
klinika

Pas 25 vitesh karrierë

Legjenda spanjolle tërhiqet nga futbolli i luajtur

04.08.2020 - 13:56

Botës së futbollit të luajtur do t’i mungojë një nga më të mirët e 20 viteve të fundit. Fjala është për legjendës e portës së Real Madrid dhe Spanjës, Iker Casillas, që sot ka zyrtarizuar tërheqjen nga futbolli aktiv dhe ka varur dorezat.

Një vit më parë Iker Casillas pësoi një goditje të rëndë në zemër dhe ishte pikërish ky moment që shënjoi edhe mbylljen e karrierës së tij të ndritur. Spanjolli luajti disa ndeshje pas shërimit e më pas trupi i tij nuk e lejoi të vazhdonte. Prej muajsh nuk luan më dhe sot ka ardhur zyrtarizimi i mbylljes së karrierës. Portieri i njohur e ka bërë këtë nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale:

“Gjëja më e rëndësishme është rruga që ju merrni dhe njerëzit që ju shoqërojnë, jo destinacioni që kërkoni, sepse me punë dhe përpjekje vjen. Mund të them pa hezitim se ka qenë rruga dhe destinacioni i ëndrrave”.

Casillas doli nga akademia e Realit dhe fitoi gjithçka me këtë klub. Më pas ai vendosi ta mbyllë te Porto. Me të marrë vesh lajmin e tërheqjes, Real Madrid ka postuar një falenderim për legjendën e tyre, që në periudhën e artë të tij ishte padyshim më i miri mes katërkëndëshit.

“Pas njoftimit të Iker Casillas për pensionimin e tij nga futbollit, Real Madrid dëshiron të tregojë mirënjohjen, admirimin dhe dashurinë e tij për një nga legjendat më të mëdha të klubit tonë dhe të futbollit botëror.

Portieri më i mirë në historinë e Real Madrid erdhi në shtëpinë tonë kur ishte 9 vjeç, u stërvit dhe luajti për 25 vite, duke qenë një nga kapitenët ikonë të ekipit tonë. Casillas ka fituar dashamirësinë e Real Madrid dhe është një pikë referimi për vlerat që klubi ynë mbart”, – shkruan klubi madrilen.