MENU
klinika

Shkaku i tensioneve

Pse Kina po kërkon të hakmerret ndaj Çekisë?

17.09.2020 - 10:21

Kina po e vë nën presion të paparë anëtarin e BE, Republikën Çeke. Me kritikat kineze për vizitën e Presidentit të Senatit çek në Tajvan, marrëdhënia evropiane-kineze ka arritur një nivel të ri përshkallëzimi.

“Unë jam tajvanez!” Kjo është një fjali që ndoshta do të hyjë në historinë e diplomacisë çeke. Kryetari i Senatit Çek, Miloš Vystrčil, e shqiptoi atë në fillim të shtatorit në një fjalim në parlamentin e Tajvanit, bazuar në fjalinë e famshme të John F. Kennedy në Berlin. Fjalia ishte menduar si shenjë solidariteti me një vend demokratik që ndodhet prej dekadash nën presion nga fqinji totalitar, Kina.

Fjalia ishte momenti qendror i një vizite për të cilën ka pasur mosmarrëveshje serioze politike në Republikën Çeke për gati një vit dhe e cila në të njëjtën kohë shkaktoi tronditje në politikën evropiane ndaj Kinës. Sepse Kina e kishte kritikuar vizitën muaj më parë me një ashpërsi të paparë diplomatike.

Kohët e fundit, gjatë një qëndrimi në Gjermani, Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi kërcënoi se Republika Çeke do të paguante një “çmim të lartë” për udhëtimin e Presidentit të Senatit në Tajvan. Kjo bëri që Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas si rrallëherë ta kritikonte atë hapur në një takim me homologun e tij kinez. Para kësaj, politikanë të shquar në të gjithë botën shprehën mbështetje për Vystrčilin.

Niveli i ri i përshkallëzimit

Për samitin e së hënës BE-Kinë, i cili fillimisht duhej të zhvillohej në Leipzig, por që u organizua virtualisht për shkak të pandemisë së Coronas, vizita e Presidentit të Senatit çek në Tajvan ishte barra më e re dhe ndoshta më delikate. Fokusi kryesor i samitit ishte sipas planit në çështjet e tregtisë dhe investimeve që Kina dhe BE kanë debatuar me qëndrime të ndryshme për vite me radhë. Hije mbi bisedimet hedhin shtypja brutale e Kinës e lëvizjes së demokracisë në Hong Kong dhe shtypja mizore e pakicës ujgure në Kinë.

Sidoqoftë, me kritikat kineze për vizitën e Presidentit të Senatit çek në Tajvan, marrëdhënia evropiane-kineze ka arritur një nivel të ri përshkallëzimi. Asnjëherë më parë në vitet e fundit udhëheqja kineze nuk ka bërë një presion kaq të vazhdueshëm, masiv dhe të hapur mbi një vend anëtar të BE. “Kina po e përdor Republikën Çeke si shtrat provë në BE,” tha për DW politologu, Jakub Janda, i cili kryeson “Qendrën e Sigurisë për Vlerat Evropiane” të Pragës. “Në Republikën Çeke, Kina po provon se sa larg mund të shkojë me ndërhyrje armiqësore, shantazh dhe kërcënime për të parë se si reagojnë anëtarët e tjerë të BE.”

Marrje peng e elitës

Nuk është rastësi që Kina ka zgjedhur Republikën Çeke nga të gjitha vendet. Ish Presidenti Václav Havel, i cili vdiq në 2011, ishte jo vetëm mik i ngushtë me Dalai Laman, por gjithashtu priti në Pragë Presidentin tajvanez dhe politikanë të tjerë të rangut të lartë të republikës së Tajvanit, dhe gjithashtu bëri thirrje që Tajvani të bëhet anëtar i OKB-së.

Nën pasardhësin e Havelit, Václav Klaus, politika e jashtme e Çekisë e orientuar drejt vlerave, ndryshoi rrënjësisht. Më 2004, Klausi ishte Presidenti i parë çek që vizitoi Kinën. Sidoqoftë, ishte kreu i shtetit Miloš Zeman, i cili kishte qenë në post që nga viti 2013 dhe qeveria e socialdemokratit Bohuslav Sobotka, që qeverisi deri në vitin 2017, të cilët e përkëdhelën Kinën me gjeste të nënshtruara. Për shkak të qëndrimit të tyre pro Kinës, Jakub Janda i quan me sarkazëm Zemanin dhe socialdemokratët çekë “ambasadorë të Kinës në Pragë” dhe madje flet për “marrjen peng të një pjese të elitës politike çeke” nga Kina.

Milos Vystrcil në TajvanMilos Vystrcil në Tajvan

Udhëheqja kineze i premtoi Republikës Çeke investime prej nëntë miliardë eurosh deri në vitin 2020 dhe Çekia duhet të bëhej “porta hyrëse për kompanitë kineze në Bashkimin Evropian”. Mbeti vetëm premtim. Kapitali aksionar i ndërmarrjeve kineze në Republikën çeke aktualisht është vetëm rreth 220 milionë euro, dhe tendenca është në rënie, ndërsa Tajvani ka investuar pak më pak se 300 milionë euro. Megjithatë, ajo që Republika Çeke mori më shumë nga pala kineze ishin kërcënimet, përpjekjet për ndikim politik dhe veprimet e spiunazhit.

Në vitin 2019, për shembull, pas paralajmërimeve nga shërbimi sekret vendas çek dhe Zyra për Sigurinë Kibernetike dhe Informative, u ndalua në administratën shtetërore përdorimi i pajisjeve dhe programeve të kompanive kineze Huawei dhe ZTE. Gjithashtu u zbulua pothuajse një vit më parë se Kina po financonte aktivitete të fshehta lobimi në Universitetin e njohur Karl në Pragë dhe po përpiqej të parandalonte studimet kritike për Kinën.

Tradhëti e interesave çeke?

Pika më e ulët e deritashme në marrëdhëniet çeke-kineze u arrit me vizitën e Presidentit të Senatit Çek në Tajvan. Fillimisht ishte ish-Kryetari i Senatit Jaroslav Kubera i cili donte të vizitonte Tajvanin. Por ai papritmas vdiq nga një infarkt në zemër në janar. Pas pak, e veja e tij gjeti në letrat e tij një letër kërcënuese nga ambasada kineze në Pragë, të cilën e kishte dërguar zyra e presidentit çek. Gruaja e Kuberas fajëson presionin ndaj të shoqit për vdekjen e tij të papritur.

Pasardhësi i Kuberas, Vystrčil njoftoi që herët se ai do t’i përmbahej vizitës së paraardhësit të tij në Tajvan dhe do të udhëtonte në ishull me një delegacion të madh biznesmenësh – gjë që ndodhi më pas, në fillim të shtatorit. Fakti që Miloš Zeman dhe kreu i qeverisë së krahut të djathtë nacional-liberal Andrej Babiš ishin përpjekur në mënyrë të përsëritur ta ndalojnë Vystrčilin që të mos ndërmarrë udhëtimin dhe e akuzuan indirekt për tradhti të interesave të shtetit çek ngjalli polemika të ashpra publike.

Për Martin Ehl, një nga komentatorët më të shquar të politikës së jashtme në Republikën Çeke, tani mund të arrihet një pikë kthese në politikën çeke dhe evropiane. “Pas një kohe të gjatë, Republika Çeke po dërgon një sinjal diplomatik që njihet në të gjithë botën dhe vazhdon traditën e Presidentit Václav Havel,” shkroi ai në gazetën Hospodářské noviny për vizitën e Presidentit të Senatit në Tajvan. “Kjo vizitë mund të jetë gjithashtu një shembull për demokracitë e tjera.”

Keno Verseck, DW