MENU
klinika

“Nesër është vonë!”

Reagime të nxehta ndaj marrëveshjes Bahrein-Izrael

12.09.2020 - 16:12

Udhëheqësit palestinezë kanë kritikuar shtetet arabe për normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin, i cili vazhdon okupimin ushtarak të territorit palestinez, duke thënë se marrëveshje të tilla mund të çimentojnë një situatë të tillë.

Organizata Çlirimtare Palestineze (PLO) tha se marrëveshja e fundit, ajo midis Bahreinit dhe Izraelit ishte “një goditje tjetër e pabesë për çështjen palestineze”.

Lëvizja palestineze Hamas, e cila sundon Rripin e Gazës, tha se “Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreini kanë rënë dakord të jenë një mjet në duart e pushtimit dhe administratës amerikane”.

“Ata ranë dakord të zbatojnë marrëveshjen e shekullit në kurriz të drejtësisë së çështjes palestineze. Marrëveshja midis Bahreinit dhe Izraelit është një mëkat diplomatik dhe një goditje për çështjen palestineze.”

Xhihadi Islam gjithashtu deklaroi se marrëveshja tregon se autoritetet e Bahreinit po veprojnë “sipas urdhrave amerikanë”.

Egjipti e mirëpriti marrëveshjen

Presidenti egjiptian Abdel Fatah al-Sisi përshkroi krijimin e marrëdhënieve diplomatike midis Izraelit dhe Bahreinit si një “hap të rëndësishëm”.

Marrëveshja, e njoftuar të premten, do të ndihmojë në vendosjen e “stabilitetit dhe paqes në Lindjen e Mesme, duke kontribuar në një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme të çështjes palestineze,” shkroi Al-Sisi në Twitter.

Bahreini është vendi i dytë i Gjirit, pas Emirateve të Bashkuara Arabe, që vendos marrëdhënie diplomatike me Izraelin, me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara.

Presidenti i SHBA Donald Trump njoftoi mbrëmë se më shumë vende do të bashkohen me këtë marrëveshje.

Dënim nga Turqia

Natën e kaluar, Ministria Turke e Punëve të Jashtme dënoi me forcë vendimin e Bahreinit për të vendosur marrëdhënie diplomatike me Izraelin, duke vlerësuar se kjo do t’i jepte një goditje të re përpjekjeve për të mbrojtur “çështjen palestineze”.

“Kjo do të inkurajojë më tej Izraelin të vazhdojë veprimet e tij të paligjshme kundër Palestinës dhe përpjekjet e tij për të bërë të përhershme pushtimin e tokave palestineze,” tha ministria në një deklaratë.

Bahreini dhe Izraeli kanë rënë dakord të krijojnë lidhje të plota diplomatike, njoftoi Presidenti i SHBA Donald Trump, duke e përshkruar marrëveshjen si një “moment historik”.