Sipas Komisionarit të BE për Ekonominë, Paolo Gentiloni, vala e dytë e koronavirusit po rrezikon ekonominë në Europë, pasi “hovi i rimëkëmbjes u ndërpre”.
Komisioni Europian, nuk pret më një kthim në normalitet as vitin e ardhshëm. Për vitin në vazhdim, parashikohet një rënie ekonomike e 27 vendeve anëtare të BE me rreth 7,4%, kurse për eurozonën një rënie ekonomike me 7,8%.
Arsye për këtë janë ngadalësimi i rimëkëmbjes ekonomike dhe rritja e fortë e borxheve të reja. “Por prodhimi si në hapësirën e euros, ashtu edhe në BE nuk pritet të arrijë as në vitin 2022 gjendjen para pandemisë”, thotë komisioni.
Për vitin 2021 ky autoritet pret një rritje ekonomike me 4,1%, në verë KE kishte pritur një rritje 5,8%. Ndërsa kuota e borxheve në BE mesatarisht këtë vit nga 79,2% e prodhimit të brendshëm bruto do të rritet në 93,9%.
Komisioni Europian kërkoi nga Banka Qendrore Europiane të bëjë gjithçka që është e mundur, për të kompensuar pasojat negative të kësaj futjeje masive në borxhe.
Për shkak të kostove mjaft të ulëta të normave të interesit, tregjet financiare nuk kanë reaguar deri tani ndaj borxheve të larta të shteteve të BE. Për Gjermaninë pritet një rënie ekonomike me 5,6% këtë vit, kurse vitin e ardhshëm rritje ekonomike me 3,5.
Kurse vendi më i goditur nga pandemia ekonomikisht mbetet Spanja, ku pritet një rënie ekonomike me minus 12,4%, pasuar nga Italia me një minus prej 9,9%, Kroacia, minus 9,6% dhe Franca minus 9,4%. Për shkak të zhvillimit dramatik në Spanjë, pritet që ky vend t’ia kalojë Greqisë me shkallën e lartë të papunësisë.