MENU
klinika

Analiza/ Ku qëndron problemi me Nord Stream 2?

Aleanca energjitike Gjermani-Rusi përçan Evropën

21.02.2021 - 15:45

Nga Toni Barber

Asnjë marrëdhënie e ndonjë vendi perëndimor me Rusinë, nuk është më e ngarkuar me histori sesa ajo e Gjermanisë. Në qershor do të përkujtohet 80-vjetori i pushtimit nazist të Bashkimin Sovjetik, që evokon betejat e egra dhe mizoritë e kohës së luftës, të cilat ndikojnë ende tek imazhi që ka Gjermania për vetveten, dhe peshojnë rëndë në qëndrimet zyrtare ndaj Rusisë.

Megjithatë asnjë nga këto nuk shërben si një justifikim, për disa deklarata të keq-gjykuara që bëri javën e shkuar presidenti gjerman Frank-Valter Shtajnmejer, mbi marrëdhëniet gjermano-ruse. Gjatë një interviste për një gazetë, ai mbrojti projektin e gazsjellësit “Nord Stream 2”, që synon të shpërndajë gazin rus në Gjermani përtej Detit Baltik, si një nga urat e pakta midis Rusisë dhe Evropës, në një klimë tejet të përkeqësuar diplomatike dhe të sigurisë.

Shtajnmejer vijoi më tej duke thënë se “për ne gjermanët, ekziston një dimension tjetër” – më shumë se 20 milion sovjetikë të vrarë në Luftën e Dytë Botërore. “Kjo nuk justifikon ndonjë keq-bërje të sotme nga politika ruse, por ne nuk duhet që ta harrojmë panoramën më të madhe”-tha ai.

Problemi me mbrojtjen që Shtajnmejer i bën gazsjellësit “Nord Stream 2” si shlyerje e një borxhi moral që Gjermania ka ndaj Rusisë, është se presidenti gjerman nuk përmendi vendet e tjera që u shkatërruan nga nazistët midis viteve 1939-1945.

Rusia u bë shteti pasardhësi Bashkimit Sovjetik në Këshillin e Sigurimit të OKB pas rrëzimit të komunizmit në vitin1991. Por rusët nuk janë kombi i vetëm pasardhës për sa i përket borxheve morale, sikurse deklaroi ambasadori i Ukrainës në Berlin.

Në fakt, lista e vendeve evropiane që mund të pretendojnë se gjermanët u kanë një borxh moral, është shumë e gjatë dhe shtrihet shumë përtej kufijve të Bashkimit Sovjetik tashmë të shkatërruar. Nuk ka asnjë diskutim, se ish-Gjermania Perëndimore dhe shteti i ribashkuar Gjerman pas vitit 1990, kanë bërë kompensime për krimet naziste me një këmbëngulje të admirueshme, dhe me një ndjenjë të lartë përgjegjësie.

Por deklaratat e Steinmeier, nënvizojnë se si Rusia mbetet për shumë politikanë dhe biznesmenë gjermanë një rast i veçantë. Partneriteti “Nord Stream 2” i Gjermanisë me Rusinë, po ngjall frikë në shumë pjesë të Evropës Qendrore dhe Lindore, ku kujtimet historike zgjasin me shekuj.

Polonia u fshi nga harta e Evropës për 123 vjet për shkak të tre ndarjeve midis viteve 1772 dhe 1795, të organizuara kryesisht nga Prusia dhe Rusia. Pakti nazisto-sovjetik i vitit 1939 ishte preludi i një tjetër sulmi me dy dhëmbë kundër Polonisë.

“Nord Stream 2”, një projekt që është kaq pranë përfundimit sa që mund të jetë tepër vonë për të ndalur, nuk mbart asnjë kërcënim për aneksime territoriale apo agresion ushtarak. Por për vendet që shtrihen midis Gjermanisë dhe Rusisë, kjo duket si një tjetër marrëveshje mbi kurrizin e tyre dhe me një mungesë skandaloze vëmendjeje të Berlinit ndaj shqetësimeve të tyre.

Pasojat për BE-në nga ky gazsjellës mund të jenë të mëdha. Ambicia e pretenduar e bllokut prej 27 vendesh, është që të veprojë si një fuqi strategjike e pjekur, me një politikë të jashtme dhe të sigurisë koherente dhe të unifikuar. Por për shtetet baltike, Poloninë dhe të tjerët, leksioni që jep “Nord Stream 2”, është se nuk duhet t’ia besojnë lirinë e tyre disa koncepteve të mjegullta të sigurisë së BE-së, në kushtet kur Gjermania nënshkruan marrëveshje të rëndësishme dypalëshe me Rusinë.

Për evropianët qendrorë dhe ata lindorë, mbrojtësi kryesor i pavarësisë së tyre nuk është Bashkimi Evropian por SHBA-ja. Kësisoj, mbrojtja dhe siguria mund t’i shtohen shtetit të së drejtës, pluralizmit të medias dhe emigrimit, si një fushë tjetër ku mosmarrëveshjet mbajnë të ndarë disa nga vendet anëtare të Evropës Perëndimore me disa anëtarë të Evropës Qendrore dhe Lindore.

Tipari më mbresëlënës i angazhimit të Gjermanisë me Rusinë, është mbështetja e saj e gjerë ndërpartiake. Kancelarja Angela Merkel ka mbajtur në fuqi sanksionet e BE-së ndaj Rusisë për aneksimin e Krimesë në vitin 2014 dhe ndërhyrjen e armatosur në Ukrainën Juglindore.

Por ajo është një mbështetëse e fotove të“Nord Stream 2”. Kur presidenti rus Vladimir Putin po merrej me aneksimin e Krimesë, Armin Lashet, sot kreu i ri i CDU, kritikoi atë që ai e quajti “populizëm anti-Putin” në Gjermani. Ministri i Jashtëm gjerman, socialdemokrati Heiko Mas, i mbron marrëdhëniet e ngushta të Berlinit me Moskën, me arsyetimin se vendet perëndimore duhet të kujdesen që të mos ta shtyjnë Rusinë drejt një bashkëpunim më të ngushtë ekonomik dhe ushtarak me Kinën.

Sa për partinë populiste të së djathtës ekstreme, Alternativa për Gjermaninë, dhe partinë e të majtës radikale, Die Linke, ato nuk bien dakord me CDU dhe SPD për shumicën e gjërave, por jo në raport me marrëdhëniet që duhen pasur me Rusinë.

Megjithatë, çfarë po i jep Kremlini në këmbim Gjermanisë? Bundestagu ishte shënjestra e një sulmi kibernetik në vitin 2015, për të cilin autoritetet gjermane fajësuan Rusinë. Katër vjet më vonë, një udhëheqës rebel çeçen i mërguar në Perëndim, u vra në Berlin në atë që sipas prokurorëve ishte një atentat i kryer me urdhër të qeverisë ruse.

Pra argumenti se një marrëdhënie e ngushtë ekonomike dhe energjetike me Rusinë sjell përfitime mbi sigurinë evropiane nuk qëndron, të paktën në epokën e Putinit. Pyetja që duhet t’i bëjnë vetes politikanët gjermanë,nuk është se sa i madh është borxhi moral i vendit të tyre ndaj Rusisë, por nëse “Nord Stream 2” dhe “urat” e tjera të bashkëpunimit me Rusisë po arrijnë ndonjë rezultat të vlefshëm. / FT – Bota.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Albert Çaçi

Berlini braktis F-35

Nga Russian Today/ "Për Nord Stream 2 Qeveria gjermane është e gatshme të..."

A ka një marrëveshje midis Gjermanisë dhe SHBA?