“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.
Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.
Pacienti: Bërryli i tenistit, shkaqet dhe kurimi i sëmundjes
Mjeku: Pavarësisht emërtimit, kjo sëmundje nuk prek vetëm individët që luajnë tenis, por një sërë profesionesh ku kërkohet përdorimi i grupmuskujve që kryejnë të lëvizje të ngjashme me ato të gjuajtjes së topit në tenis
Epikondiliti i bërrylit (ose bërryli i tenistit) përkufizohet si një gjendje mjaft e dhimbshme në pjesën e jashtme të bërrylit që vjen si rezultat i mbipërdorimit dhe tejlodhjes së tendinave të muskujve që fiksohen në këtë pikë. Zakonisht prek adultët e moshave 30-50 vjeç, më tepër të seksit mashkull.
Pavarësisht emërtimit, nuk prek vetëm individët që luajnë tenis, por një sërë profesionesh ku kërkohet përdorimi i grupmuskujve që kryejnë të lëvizje të ngjashme me ato të gjuajtjes së topit në tenis, si: p.sh.: muratorët, elektricistët, hidraulikët, piktorët, marangozët apo kasapët, por dhe gratë në punët e zakonshme të shtëpisë, si gatimi apo qepja.
Shenjat
Përfshijnë dhimbje të fortë djegëse në epikondilin lateral (prominenca kockore në pjesën e jashtme të bërrylit) që mund të përhapet dhe në parakrah dhe në kyçin e dorës. Pacientët nuk mund të kryejnë apo kanë vështirësi në një sërë lëvizjesh si dhënia e dorës, hapja e derës apo mbajtja e filxhanit të kafes.
Shkaqet
Epikondiliti është dëmtim i llojit të mbipërdorimit apo traumatizimit të përsëritur të muskujve që realizojnë shtrirjen e gishtave dhe ngritjen e kyçit të dorës. Si pasojë e kontraksioneve të përsëritura dhe stresit, në brendësi të fibrave muskulare, në pjesën ku ato atashohen në kockën e bërrylit, shkaktohen mikrotrauma të tipit të mikroçarjeve.
Disa nga veprimet që shkaktojnë epikondilitin në mënyrë tipike janë: suvatimi, përdorimi i veglave hidraulike, vizatimi, prerja e mishit në kuzhinë, shtrëngimi i vidave etj.
Diagnoza
Zakonisht pyetja e kujdesshme dhe testimi i zonës nëpërmjet prekjes mjaftojnë për të vendosur diagnozën, por mjeku mund të këshillojë një radiografi për të përjashtuar ndonjë sëmundje tjetër apo një traumë më të thellë që ka dëmtuar kockën në rastet e dëmtimeve sportive.
Trajtimi
Përfshin marrjen e një sërë masave të thjeshta nga vetë i sëmuri, si evitimin e menjëhershëm të çdo lëvizjeje që shkakton dhimbje, aplikimin e kompresave të ftohta mbi zonën e dhimbshme dhe marrjen e analgjezikëve të thjeshtë, si paracetamoli. Nëse simptomat persistojnë, duhet kërkuar ndihma e specialistit ortoped. Mjekimi i mëtejshëm mund të përfshijë administrimin e medikamenteve antiinflamatore josteroide, përdorimin e një splinti të posaçëm, si dhe injektimin e zonës së dhimbshme me preparate kortizonike të përziera me anestetikë lokalë. Në raste mjaft të rralla apo rezistente indikohet kirurgjia për heqjen kirurgjikale të zonës së dëmtuar.
Me qetësimin e dhimbjeve rekomandohen procedura fizioterapeutike për forcimin dhe zgjatjen (streçing) e muskujve të parakrahut, si dhe instruktimin e teknikave korrekte gjatë punës apo aktivitetit sportiv për të parandaluar rishfaqjen e dëmtimit.
Nëse lihet i patrajtuar, epikondiliti progreson në një gjendje dhimbjeje dhe diskomforti kronik tepër invalidizues për individin.
Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.