Nga Raanan Elliaz, euobserver
Nuk është më sekret se të gjithë udhëheqësit e Europës u lehtësuan kur Benjamin Netanyahu humbi zgjedhjet, pas më shumë se 12 vitesh si kryeministër i Izraelit. Nën udhëheqjen e tij, dhe më tepër gjatë 4-5 viteve të fundit, marrëdhëniet e BE-së me Izraelin janë përkeqësuar dhe shënuan në nivelin më të ulët.
Takimet mes Bashkimit Europian dhe Izraelit nuk janë mbajtur më që nga viti 2013, por disa emërime kuptimplota në qeverinë e re izraelite sinjalizojnë ndryshimin pozitiv.
E para dhe më e rëndësishmja, ministri i ri i jashtëm, Yair Lapid, është arkitekti i vërtetë pas reformimit të qeverisë së Izraelit. Në më pak se një dekadë, Lapid, një gazetar që më pas iu fut politikës, është i aftë për të udhëhequr vendin për t’i dalë ballë sfidave.
Ai madje ka hequr dorë nga kandidatura si kryeministër, në mënyrë që të lejojë krijimin e një koalicioni qeveritar me një larmi partish, nga e majta në të djathtë. Qeveria më e larmishme e koalicionit që Izraeli ka njohur ndonjëherë përbëhet nga një parti e krahut të djathtë, të majtë, centrist dhe madje një islamik, që u bashkuan në një qëllim: t’i jepnin fund një bllokimi politik dhe t’i siguronin Izraelit një fillim të ri.
Ka shumë izraelitë të rinj që nuk mund ta imagjinojnë dot Izraelin pa Netanyahu në krye. Në shumë mënyra, Lapid i ngjan presidentit amerikan Joe Biden. Një udhëheqës centrist, i përgjegjshëm dhe i dhembshur, por pragmatik.
Ndryshe nga shumica e udhëheqësve izraelitë, Lapid nuk ka fituar rekorde të rëndësishme ushtarake dhe sinjalizon një karakter të butë dhe modern që preferohet nga publiku. Nëse kjo qeveri arrin të mbijetojë dhe Lapid bëhet kryeministër, do të jetë një rekord.
Qeveria e re izraelite ka gjithashtu një numër rekord të grave në postet e qeverisë. Njëra prej tyre, Merav Michaeli, është në krye të Partisë së Punës dhe është emëruar si ministre e transportit.
Në planet e saj, Europa është kryesore dhe së bashku me anëtarët e tjerë të partisë që mbajnë poste kyçe në sigurinë publike dhe çështjet e Diasporës, ajo do të sigurojë një bashkëpunim më të gjerë me Europën.
Emërimet e reja shtesë në qeverinë e re izraelite përfshijnë të njohur të tjerë që janë të gatshëm për të kapërcyer boshllëqet, duke përfshirë kreun e partisë Meretz të krahut të majtë Nitzan Horowitz, si ministër i shëndetësisë.
Gjithashtu në qeverinë e saj, ka udhëheqës të djathtë që pranojnë rëndësinë e aleancës së Izraelit me Europën.
Së pari dhe më kryesorja, Gideon Sa’ar është ministër i drejtësisë. Sa’ar, i cili është larguar nga partia Likud ishte jetik në rrëzimin e Netanyahut, duke u zotuar se do të përmirësojë sistemin ligjor të Izraelit dhe ta bëjë atë më të përgjegjshëm dhe transparent.
Ai gjithashtu u zotua së në krye të agjendës së tij do të jetë mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe barazia e të gjithë qytetarëve. Pa dyshim që lidhjet e tij me BE-në duhet të nxisin reformat më të nevojshme, në një nga organet më të diskutueshme të qeverisë së Izraelit.
Ndërsa pikëpamjet e Europës nga kryeministri i ri i Izraelit, Naftali Bennet, mbeten për t’u parë, ekziston një mundësi reale për ministrat Lapid, Sa’ar, Michaeli dhe të tjerët për të krijuar mundësi dhe rrugë të reja.
Disa çështje në lidhje me Iranin dhe nënshtetësinë e Palestinezëve mund të jenë akoma të diskutueshme. Por qeveria e re mund të sjellë një përmirësim në fusha të tjera. Nevoja urgjente që Izraeli të përmirësojë marrëdhëniet me SHBA-në (me Partinë Demokratike tani në krye) dhe me fqinjin e saj Jordaninë, duhet të fillojë duke i dhënë përparësi marrëdhënies së tij me Europën.
Anëtarët e koalicionit të ri të Izraelit duhet të ndërmarrin takime mes Izraelit dhe BE-së, takime që nuk zhvillohen më shumë se për një dekadë.
Vizitat në Bruksel dhe kryeqytetet e tjera europiane duhet të jenë prioritet për qeverinë e re të Izraelit dhe Izraeli duhet të bashkohet, para fundit të vitit, me programin Horizon Europe prej 95 miliardë eurosh, programi kryesor i BE-së në kërkimin dhe inovacionin.
Ndërsa energjia dhe serioziteti i qeverisë së re në Jeruzalem mbetet për t’u parë, zyrtarët e BE-së duhet të demonstrojnë përkushtimin e tyre për të përmirësuar marrëdhëniet dhe të nisin një fillim të ri me një larmi politikash dhe marrëveshjesh partneriteti.
Mundësitë janë të shumta dhe potenciali duhet të shfrytëzohet.