MENU
klinika

Përgjigjet mjeku

Si të kujdesemi për diabetin në verë?

24.06.2021 - 11:31

“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.

Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.

Pacienti: Si të kujdesemi për diabetin në verë?

Mjeku: Personat me diabet mund ta shijojnë verën si gjithë të tjerët. E rëndësishme është që kur hyjnë në det të jenë të shoqëruar dhe të jenë të rregullt në matjen e sheqerit dhe të kujdesshëm në ushqimet që hanë. Kështu shprehet mjeku Isuf Kalo për gazetën “Shëndet+” ndërsa flet lidhur me masat që duhet të marrin të sëmurët me diabet gjatë kohës së plazhit. Ai thotë se shpesh këta persona e torturojnë veten kot duke u kufizuar shumë në të ngrënë, por duhet të kenë parasysh që mund të hanë gjithçka, mjaft të jetë në sasi. Më poshtë lexoni këshillat e plota të dhëna prej tij.

Si fillim do doja të theksoja se është mirë që të mos përdoret termi “diabetik” por “persona me diabet” ose “të sëmurë me diabet”, pasi termi “diabetik” është shumë në sensin përkeqësues. Nuk kemi pse i ndajmë këta persona nga pjesa tjetër e të sëmurëve. Ata janë fillimisht individë dhe pastaj të sëmurë me diabet.

Nxehtësia përbën një problem të madh për të sëmurët dhe sidomos ekspozimi në diell. Ndaj kjo është një rrethanë që duhet vlerësuar për të marrë masa për të evituar përkeqësimin e sëmundjes.

Dihet që temperature e nxehtë krijon dehidrim të trupit, humbje të shpejtë të lëngjeve. Një gjë e tillë jep turbullime të sheqerit, rritje dhe ulje.

Këta të sëmurë mund të kenë: djersitje, marrje mendsh, dhimbje koke, përzierje, krampe muskulare (apo ngërçe siç njihen zakonisht), frymëmarrje të shpeshtë. Por në raste të rënda mund të kenë edhe vjellje, konvulsione si dhe halucinacione, që janë pasojë e të nxehtit.

Sigurisht kjo varet nga shkalla e temperaturave, si dhe nga koha e ekspozimit në diell.

Disa këshilla që jepen në raste të tilla

Së pari të sëmurët me diabet duhet të evitojnë qëndrimin direkt në diell. Kjo është shumë e rëndësishme. Është mirë që ata të rrinë në hije.

Organi që dëmtohet direk nga ekspozimi në diell është lëkura, kështu që këshillohet të përdorin krem kundër diellit dhe ta përdorin atë 15-30 minuta para ekspozimit. Këmbët janë një pjesë për të cilat duhet treguar shumë kujdes, sidomos të shmanget kontakti me rërën e nxehtë. Këmbët janë sidomos problem tek meshkujt. Në rastet e futjes në ujë, pas dalje të përsëritet lyerja me krem.

Këshillohet që këta të sëmurë të dalin më herët në mëngjes dhe aktivitetet fizike, si dhe psonisjet t’i kryejnë në kohën kur s’ka diell.

Një kujdes i veçantë duhet treguar kur futen në det ose kur rrinë në çadër që të mos ecin zbathur në plazh në rërën e nxehtë.

Gjithashtu është e rëndësishme që kokën ta kenë të mbuluar gjithnjë me kapele. Nëse ndiejnë marrje mendsh, të largohen nga ambienti i nxehtë dhe të aplikojnë kompresa të ftohta.

Nuk duhet harruar që të sëmurët me diabet duhet të kenë gjithnjë me vete celularin në rast glicemie.

Të sëmurët duhet të vishen lehtë, të mbajnë pantallona të shkurtra, si dhe syze dielli që mbrojnë 400 UVB.

Lidhur me ilaçet

Ruajtja e medikamenteve është shumë e rëndësishme. Duhet të kihet parasysh se insulin prishet në temperature të larta, por kjo nuk do të thotë që mund të futet në akull. Është mirë që të mbahen në temperaturë të freskët.

Nga temperaturat e larta mund të dëmtohet edhe glukometri, si dhe letrat që masin gliceminë. Ndaj duhet pasur kujdes që përveçse t’i ruajnë, edhe të mos i harrojnë në makinë, siç mund të ndodhë, pasi në makinë ambienti i mbyllur rrit temperaturat.

Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.