Gjenerali amerikan Mark Milley i ka përshkruar talebanët si një “grup të pamëshirshëm” dhe thotë se është e paqartë nëse ata do të ndryshojnë. Megjithatë, ai tha se ishte “e mundur” që SHBA të koordinonte punën me militantët islamikë në operacionet e ardhshme kundër terrorizmit, ISIS.
Forcat amerikane u tërhoqën nga Afganistani të martën, duke i dhënë fund luftës më të gjatë të Amerikës 20 vjet pasi filluan një pushtim për të rrëzuar talebanët. Islamistët tani kanë kontrollin dhe pritet të shpallin qeverinë e re.
Presidenti amerikan Joe Biden është kritikuar gjerësisht për mënyrën e papritur të tërheqjes nga SHBA, e cila çoi në kolapsin e papritur të forcave afgane të sigurisë.
Përparimi i rrufeshëm i talebanëve nxiti një përpjekje të furishme për të evakuuar mijëra shtetas të huaj dhe afganë që kishin punuar për ta.
Në konferencën për shtyp të Mërkurën, Gjeneral Milley dhe Sekretari Austin vlerësuan trupat që shërbyen në Afganistan dhe misionin masiv të evakuimit.
I pyetur në lidhje me bashkërendimin e tyre me talebanët në dërgimin e të evakuuarve në aeroport, Austin tha “Ne po punonim me talebanët për një sërë çështjesh shumë të ngushta, dhe kjo ishte vetëm për të nxjerrë sa më shumë njerëz“.
“Në luftë ju bëni atë që duhet për të zvogëluar rrezikun në mision dhe forcë, jo atë që domosdoshmërisht dëshironi të bëni” shtoi gjenerali Milley.
Ai tha se ishte e mundur që SHBA-ja të koordinohej me talebanët në aksionin e ardhshëm kundër grupit të Shtetit Islamik “ISIS-K”, grupi i cili mori autorësinë e sulmit jashtë aeroportit të Kabulit javën e kaluar që vrau mbi 170 njerëz, përfshirë 13 ushtarakë amerikanë.
“ISIS-K” është grupi më ekstrem dhe më i dhunshëm nga të gjitha grupet militante xhihadiste në Afganistan. Ka dallime të mëdha me talebanët, duke i akuzuar ata për braktisjen e xhihadit dhe fushën e betejës.
Austin, ndërkohë, tha se “nuk do të donte të bënte ndonjë parashikim” mbi bashkëpunimin e ardhshëm.
Në total, operacioni i evakuimit nxori më shumë se 123,000 njerëz që dëshironin të largoheshin nga regjimi taleban, të transportuar me aeroplan jashtë vendit. SHBA vlerëson se ka ende mes 100 dhe 200 amerikanë në Afganistan.
Nënsekretarja amerikane e Shtetit për Çështjet Politike Victoria Nuland tha se “të gjitha opsionet e mundshme” po shikoheshin për të nxjerrë qytetarët e mbetur amerikanë dhe njerëzit që punonin me SHBA.
Ndërkohë, Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar Dominic Raab tha se nuk ishte i sigurt se sa shtetas britanikë kishin mbetur.
Talebanët kanë festuar tërheqjen përfundimtare të forcave të huaja, dhe tani janë duke u përqendruar në formimin e një qeverie. Nënkryetari i zyrës politike të talebanëve në Katar, Sher Abbas Stanekza, i tha “BBC” se qeveria e re mund të shpallet në dy ditët e ardhshme.
Ai tha se do të kishte një rol për gratë në nivele më të ulëta, por jo në pozicione shumë të larta. Gjithashtu, ai u shpreh se ata që shërbyen në qeveri në dy dekadat e fundit nuk do të përfshiheshin.