MENU
klinika

Ja përse

‘Nuri i shtatzënisë’ nuk është një mit shqiptar, por fakt shkencor!

15.07.2022 - 08:53

Të gjithë mund të keni dëgjuar të thuhet se “gratë fitojnë një nur të këndshëm, kur janë shtatzënë”. Duket si një shprehje tipike shqiptare e thënë nga admirimi për gratë, por në fakt, kushdo që e ka thënë – ka plotësisht të drejtë.

Amerikanët e quajnë “pregnancy glow”, ndërsa ne “nur”. Sido që të jetë emri, shkëlqimi që gratë marrin gjatë shtatzënisë është i vërtetuar shkencërisht.

Shtatzënia e ndryshon trupin e gruas në shumë mënyra. Ju po rrisni një person brenda jush, prandaj mund të prisni çdo gjë: Nga venat me variçe te njollat e errëta dhe madje edhe aknet. Por, ka edhe disa aspekte pozitive, për të cilat, çuditërisht, flitet më pak.

Rritja e hormoneve mund të ndryshojë pamjen e flokëve dhe lëkurës tuaj, duke ju dhënë buzë më të plota, një shkëlqim të dukshëm dhe flokë më të trashë. Nëse nuk na besoni ne, dëgjoni ç’thonë profesionistët:

1. Lëkura juaj mund të shkëlqejë dhe të duket më e shëndetshme.

Ideja se gratë shtatzëna përjetojnë një “shkëlqim” gjatë shtatzënisë është e vërtetë. Shkëlqimi vjen nga një rritje e vëllimit të gjakut, estrogjenit dhe progesteronit.

“Qarkullimi më i madh i gjakut në lëkurë jep një pamje ‘rozë’ dhe gjithashtu e bën fytyrën të duket më e plotë”, thotë Brandye Wilson-Manigat, gjinekologe. “Përveç kësaj, ka një rritje të qarkullimit të qelizave të lëkurës dhe kjo lejon qelizat më të reja të dalin në sipërfaqe dhe qelizat e thata e të vjetra të hiqen.”

Ajo që mbetet pas janë qelizat e shëndosha që rrisin shkëlqimin dhe butësinë e lëkurës.

2. Buzët mund të duken më të plota.

Ky vëllim i rritur i gjakut gjithashtu mund t’i bëjë buzët të duken më të buta.

“Mukozat në të gjithë trupin, veçanërisht në fytyrë, zmadhohen dhe mbushen me gjak dhe lëngje të shtuara”, shpjegon Sherry Ross, gjinekologe dhe eksperte e shëndetit të grave.

Buzët duken më të plota dhe më të kuqe si rezultat i këtyre ndryshimeve hormonale, por ato nuk janë e vetmja pjesë e fytyrës që fryhet – është gjithashtu e zakonshme që dhe sytë të duken gjithashtu pak më të fryrë.

3. Mund të vëreni një përmirësim për disa gjendje të lëkurës.

Falë luhatjeve të hormoneve, mund të përjetoni disa acarime të lëkurës gjatë shtatzënisë (zakonisht gjatë tremujorit të tretë). Por nëse vuani nga psoriasis ose ekzema, mund të vëreni se ato pastrohen gjatë shtatzënis sepse “kushtet inflamatore të lëkurës priren të jenë më pak aktive gjatë shtatzënisë”, sipas Dendy Engelman, dermatolog.

4. Mund të keni flokë më të trashë dhe më të shndritshëm.

Hormonet tuaja kanë shumë të bëjnë me rritjen e flokëve, gjë që ndihmon për të shpjeguar pse flokët tuaj janë shpesh më voluminozë gjatë atyre nëntë muajve.

Hormonet e shtatzënisë, veçanërisht progesteroni, mund të shkaktojnë gjithashtu një rritje të aktivitetit të gjëndrave dhjamore që çon në një skalp pak më të yndyrshëm. Kjo i bën flokët të duken më të trashë dhe më të shndritshëm gjatë gjithë shtatzënisë.

Kjo fazë është e përcaktuar gjenetikisht, prandaj jo të gjitha do kenë të njëjtën përvojë.

5. Mund të keni thonj më të gjatë dhe më të fortë.

Për të njëjtat arsye që flokët bëhen më të trashë dhe më të fortë gjatë shtatzënisë, e njëjta gjë mund të ndodhë me thonjtë tuaj.

6. Gjoksi mund të rritet në madhësi.

Ky ndryshim nxitet nga rritja e hormoneve të shtatzënisë si estrogjeni, progesteroni dhe gonadotropina korionike njerëzore (HCG).

Doni më shumë prova? Mjafton të hyni në Instagramin e vajzave të ekranit shqiptar, si Dojna Mema apo Sara Hoxha. Shkëlqimi në sytë e tyre nuk gënjen!

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Mësoni si të mbroni veten dhe fëmijën!

A rrezikojnë gratë shtatzënë nga mpiksja e gjakut?