MENU
klinika

Analiza

A do të nisë Ukraina kundërsulmin para dimrit?

25.08.2022 - 12:30

Pushtimi rus i Ukrainës ka ngecur dhe konflikti është futur në një ngërç. Kjo do të thotë se Rusia po i mban territoret që ka pushtuar deri tani në lindje dhe jug të Ukrainës. Madje mund t’i bëjë ato zyrtarisht pjesë të federatës ruse. Por Moska nuk po arrin më ndonjë përparim të mëtejshëm domethënës.

Ndërkohë edhe Ukraina ka ndaluar së humburi territor, dhe madje ka sprapsur trupat ruse në veri dhe verilindje. Por Kievi nuk ka nisur ende një kundërsulm të madh, dhe nuk ka mundur të rimarrë kontrollin e asnjë pjese të madhe të territorit të pushtuar dhe të përforcuar nga rusët.

Sulmi fillestare i Rusisë në shkurt ndaj Ukrainës, ishte një katastrofë që buroi nga një planifikim i dobët dhe i bazuar në të dhëna të gabuara. Linjat e shumta të sulmit, çuan në një shpërndarje të operacioneve, udhëheqjes dhe mbështetjes logjistike. Inkursionet ruse në veri dhe verilindje të Ukrainës ishin të paqëndrueshme.

Territoret e marra në lindje dhe jug – në rajonin e Donbasit dhe përgjatë bregdetit – ishin shumë të brishta dhe të ekspozuara. Më pas presidenti rus Vladimir Putin i përqendroi forcat e tij në lindje, duke shfrytëzuar epërsinë e madhe të Rusisë në artileri, për të goditur territorin përpara se të dërgonte këmbësorinë për ta pushtuar atë.

Kjo taktikë funksionoi relativisht mirë për disa muaj, në pranverë dhe në fillim të verës. Por edhe ajo e humbi efektin e vet, për shkak të ndihmës më cilësore të SHBA-së në njësi të artilerisë për Ukrainën, apo edhe numrit të lartë të viktimave nga ushtria ruse, sidomos tek njësitë  e saj më të afta, të cilat u angazhuan herët në luftë. Konsensusi midis ekspertëve është se tani lufta ndodhet në një ngërç.

A do mundet Putin të ruajë pushtimet e tij aktuale?

Për një periudhë afatshkurtër, një ngërç nuk është një rezultat i keq për Putinin. Ai mund ta cilësojë linjën e re të frontit si një status quo dhe të pretendojë se kërkon paqe. Mbrojtja është më e lehtë se sulmi, ndaj atij thjesht do t’i duhet që të ruajë atë që ka fituar tashmë. Putini duket se dëshiron ende të gjithë vijën bregdetare të Ukrainës – ku më e rëndësishmja është Odesa – por kjo duket e pamundur. Nëse lufta do të ndalonte sot, ai do ta cilësonte  rezultatin një fitore. Në fakt, strategjia e tij për të shtuar kostot energjitike për vendet perëndimore, me shpresën se ato do ushtojnë presion ndaj Ukrainës që të bëjë lëshime për arritjen e shpejtë të paqes, sugjeron se Putini do të donte të ndalonte luftën tani, dhe të garantonte sukseset e tij aktuale.

Por nëse zgjat në një periudhë afatmesme, ngërçi do të ketë pasoja katastrofike për Rusinë. Nëse vazhdon mbështetja perëndimore për Ukrainën, sidomos gjatë dimrit të ardhshëm në mesin e mungesës së mundshme të gazit në Evropë, atëherë Rusia do të përballet me një armik të vendosur dhe të mirë-armatosur, që do të vazhdojë të luftojë, pavarësisht kostove. Morali i Ukrainës, dhe më e rëndësishmja, gatishmëria e saj për të pranuar humbjet, është shumë më e lartë se e Rusisë. Rusia mund të arrijë fitore të vogla taktike, por Ukraina do të vazhdojë të luftojë derisa të nisë të fitojë luftën e madhe. Ndërkohë, Rusia do të vuajë pasojat në rritje të sanksioneve ndëshkuese, dhe nuk mund ta tejkalojë bazën industriale të mbrojtjes perëndimore.

Më e rëndësishmja: Ukraina ndoshta do të vazhdojë luftën edhe nëse pakësohet mbështetja perëndimore. Sigurisht, operacionet e drejtpërdrejta në fushën e betejës do të bëheshin shumë më të vështira, por një kryengritje që  ka të ngjarë të shpërthejë në të gjithë territoret e pushtuara. Në të vërtetë, kjo mund të ketë nisur tashmë. Një fitore e Ukrainës do të zgjaste shumë në kohë, dhe do të ishte më e përgjakshme. Por afganët e mundën Ushtrinë e Kuqe në vitet 1980 pas një kryengritjeje 10-vjeçare. Ukraina ka të ngjarë të provojë diçka të ngjashme, dhe sanksionet kundër Rusisë ndoshta do të qëndrojnë në fuqi.

Rezultati do të ishte një “moçalishte” klasike. Pra një shtet i fuqishëm ushtarakisht që mbetet i bllokuar në një konflikt me intensitet të ulët kundër një kundërshtari inferior, që thjesht nuk do që të heqë dorë nga rezistenca. Ajo që i duhet Rusisë më shumë nga të gjitha, është të fitojë në fund, pra t’i japë fund luftës përpara se ajo të shndërrohet në një përsëritje të Afganistanit apo Vietnamit.

A mund të ketë sukses Ukraina gjatë një kundërsulmi të madh përpara dimrit?

Duket se ekspertët bien në përgjithësi dakord se shansi më i mirë i Putinit është të rezistojë në këto pozita deri në dimër, dhe më pas të shpresojë që temperaturat e ulëta dhe kostot e larta energjike të nxisin Perëndimin, dhe sidomos Gjermaninë, të ushtrojë presion ndaj Ukrainës për të bërë lëshime dhe ndalur luftën.

Por nuk është e qartë nëse kjo gjë do të funksionojë. Retorika e NATO-s mbi luftën vazhdon ta mbështesë fuqishëm Ukrainën. Krimet e luftës të ushtrisë ruse në Ukrainë do ta bëjnë të vështirë që Gjermania të luajë rolin e rebeles në aleancë, duke pasur parasysh të kaluarën e saj të errët, dhe duke braktisur Ukrainës vetëm për shkak të inflacionit të lartë.

Megjithatë, shansi më i mirë i Ukrainës është të dalë nga ky ngërç, të paktën në një fare mënyre, përpara mbërritjes së dimrit. Prandaj po ndodh edhe kundërofensiva e saj e shumëpërfolur për të rimarrë qytetin Kherson. Duke rimarrë një metropol të rëndësishëm dhe duke zhvendosur linjat e frontit në hartë, Ukraina do të rriste besimin e Perëndimit se ajo mund të fitojë edhe pa një luftë shumë të gjatë.

Rusia nuk mund ta mposhtë Ukrainën, por mund të demoralizojë mbështetësit e saj. Ky është ndryshimi midis një ngërçi që kthehet kundër Rusisë në planin afatmesëm në fushën e betejës, apo në një periudhë afatgjatë në formën e një kryengritjeje.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN