MENU
klinika

Basketboll Meshkuj

Kombëtarja e Kosovës U-18 kalon në finale të Evropianit

28.07.2018 - 21:45

Kombëtarja e Basketbollit të Kosovës U-18 është kualifikuar në finale të Kampionatit Evropian, pasi ka mposhtur në Pallatin e Sporteve, Irlandën favorite, 69:55.

“Dardanët” ishin superiorë në këtë takim ndaj irlandezëve, duke e dominuar ndeshjen nga fillimi e deri në fund, duke dhuruar spektakël për publikun vendas.

Kosova ka siguruar njërën nga dy medaljet e para, në Eurobasketin e Divizionit C, që për herë të parë organizohet në Kosovë.
Kosovarët e nisën shumë mirë ndeshjen me epërsi prej 10-6, falë mbrojtjes agresive dhe tentimeve të sakta për dy pikë.

Vendësit nuk u ndalën duke shënuar pikë të shpejta, me Meriton Ismajlin dhe Leon Nezirin për të shtuar epërsinë në 19:6.
Por udhëtuesit arritën të riktheheshin me një seri prej 10:2 për ta ngushtuar rezultatin në 21:16, me të cilin rezultat u mbyll 10-minutëshi i parë.

Kosova e nisi më mirë edhe periudhën e dytë me seri prej 10:3 për të krijuar epërsi të lartë prej 12 pikëve, 31:19. Këtë epërsi vendësit e menaxhuan në mënyrën më të mirë duke shkuar në pushim me nëntë pikë dallim, 39:30.

Periudha e tretë ishte ndryshe, me udhëtuesit të cilët përfituan nga gabimet e njëpasnjëshme të basketbollistëve kosovarë për të ngushtuar rezultatin në vetëm pesë pikë, 43:38.

Por, kosovarët u rikthyen shpejt me dy trepikësha të shënuara nga Krasniqi dhe Ismajli, për ta rikthyer epërsinë prej nëntë pikëve 53:44 me të cilin rezultat u mbyll çereku i tretë.

Në periudhën e fundit, kur u prit reagimi i irlandezëve, Kosova përforcoi mbrojtjen dhe rriti epërsinë,e cila 2 minuta para fundit arriti në plus 15 pikë, duke siguruar fitoren dhe finalen e madhe.

Te Kosova, me lojë të mirë u dalluan dyshja Rron Ukaj me double-double 12 pikë dhe 11 kërcime, si dhe Leon Neziri, me 13 pikë, 9 kërcime e katër asistime.

Finalja e madhe e Kampionatit Evropian, Divizioni C, do të zhvillohet të dielën në Pallatin e Sporteve në Prishtinë, nga ora 19:30.