Sistemi bankar ka financuar blerjet e individëve në tregun e pasurive të paluajtshme në Tiranë me rreth 570 milionë euro kredi. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në fund të vitit 2017 portofoli i kredisë për blerje banesash në Tiranë arriti në 72.1 miliardë lekë.
Gjatë një viti, portofoli u zgjerua me rreth tre miliardë lekë ose afro 24 milionë euro. Rritja e kreditimit shpjegon pjesërisht gjallërimin e ndjeshëm të tregut të pasurive të paluajtshme në kryeqytet gjatë viteve të fundit. Çbllokimi i lejeve të ndërtimit ka sjellë nisjen ndërtimeve të reja, ndërsa agjentët e shitjeve dëshmojnë për një kërkesë të përmirësuar. Lehtësimi i kushteve të kredisë hipotekare, normat e ulëta të interesit, por edhe skema e subvencionit të interesave nga Bashkia Tiranë i kanë dhënë një shtysë tregut. Sidoqoftë, portofoli aktual i kredisë bankare është larg të qenit mbështetja kryesore e tregut të pasurive të paluajtshme në Tiranë, treg i fryrë sidomos nga investimi i parave të fituara përmes aktiviteteve të paligjshme, si edhe nga remitancat. Statistikat demografike tregojnë se kërkesa për banim në Tiranë ngelet në rritje.
Sipas Instat, vetëm për vitin e kaluar popullsia e Tiranës u shtua me afro 22 mijë banorë. Rritja e popullsisë ushqen kërkesën në tregun e pasurive të paluajtshme, por edhe në tregun e kredisë bankare. Për gjysmën e parë të këtij viti në Tiranë u dhanë 164 leje për ndërtesa të reja.