MENU
klinika

Bankat zgjerohen jashtë

Credins shkon në Kosovë, BKT në Uzbekistan!

15.09.2018 - 14:57

Dikur, tregu bankar vetëm importonte investitorë. Sot, bankat lokale jo vetëm që po faktorizohen gjithnjë e më shumë në tregun vendas, por po zgjerohen në tregje të tjera. E para që arriti të afirmohet me sukses jashtë vendit ishte BKT. Ndonëse me kapital turk (është në pronësi të Çalik Group), BKT është një bankë me qendër në Shqipëri. Aktiviteti i parë jashtë vendit nisi një dekadë më parë, në tregun e ri kosovar. Dhe rezultatet kanë qenë të mira. Aktualisht, BKT mban mbi 10% të tregut bankar në kosovar. Nga degë e bankës shqiptare, tashmë BKT – Kosovë është transformuar në një bankë më vete.

Rezulatet e mira në Kosovë e kanë shtyrë BKT drejt një eksperience të re dhe, tashmë, të largët: së shpejti, BKT do të hapë një degë të sajën në Uzbekistan.

Vendimi për të tentuar suksesin vendin e Azisë Qendrore është sigurisht surprizues, megjithatë mund të lidhet me një sërë faktorësh. Një hipotezë mund të jenë interesat e grupit zotërues, Çalik Group, që ka aktivitete biznese në tregje dhe në sektorë të ndryshëm. Nga ana tjetër, Uzbekistani në vitet e fundit është një ndër ekonomitë me rritjen më të shpejtë në rajonin e Azisë Qendrore. Potencialet e këtij tregu ndoshta vlerësohen me interes nga aksionerët e BKT.

Banka tjetër me ekspansionin më të shpejtë në vitet e fundit, Credins Bank, ka vendosur edhe ajo të zgjerohet në tregun fqinj të Kosovës. Aktualisht, Credins është banka e tretë më e madhe në Shqipëri dhe zotëron rreth 13% të aktiveve të sistemit bankar shqiptar.

Synimi i Credins për të hyrë në tregun kosovar është i hershëm, që në kohën kur banka drejtohej ende nga Artan Santo. Megjithatë, këtë vit, aksionerët e bankës më të madhe me kapital shqiptar kanë vendosur përfundimisht të shtrijnë aktivitetin në Kosovë. Tregu kosovar në vitet e fundit është rritur me ritme të larta dhe vlerësohet se potencialet janë ende të mëdha. Ekonomia kosovare ka pasur ritmet më të larta të rritjes në rajon gjatë viteve të krizës. Kjo ka ndihmuar në zgjerim të shpejtë të kreditimit dhe nivele të ulëta të kredive me probleme.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


104 mln euro për korrikun

Kredia në euroizim