Banka e Shqipërisë ka nisur punën për identifikimin e të ashtuquajturave banka sistemike dhe përgatitjen e një kuadri për një mbikëqyrje më të rreptë të tyre krahasuar me bankat e tjera. Sipas Bankës së Shqipërisë, procesi i mbikëqyrjes së bankave sistemike ka filluar prej të paktën katër vjetësh tashmë.
Një nga pikat kryesore të mbikëqyrjes së bankave sistemike është cikli më i shkurtër i mbikëqyrjes në vend krahasuar me bankat e tjera. Kjo përkthehet në një intensitet të shtuar të kontrollit në vend të këtyre bankave si dhe angazhim më të madh të burimeve njerëzore dhe faktorit kohë në kontrollin e cilësisë së punës së këtyre bankave.
Një kërkesë e rëndësishme rregullative për bankat sistemike është kërkesa për hartimin e Planeve të Rimëkëmbjes dhe të Zgjidhjes. Në thelb, këto plane kanë si qëllim që bankat të ngrenë procese të brendshme dhe të përcaktojnë struktura për vetëadministrimin e vështirësive të brendshme finanaciare. Nëpërmjet këtyre planeve, bëhet i mundur identifikimi i brendshëm i vështirësive nëpërmjet përcaktimit të kufijve minimalë të treguesve financiarë, e cila çon në vënien në funksion të mekanizmave të brendshëm të shpëtimit, ku hallka të caktuara kanë përgjegjësi dhe veprime të paracaktuara që duhet kryejnë si rezultat i kësaj ngjarjeje. Aktualisht, ka një udhëzues të hartuar për këto plane ku përcaktohen kërkesat kryesore ku duhet të orientohet hartimi i këtyre planeve. Ky udhëzues është hartuar bazuar në udhëzimin e Autoritetit Bankar Europian. Nga këndvështrimi i stabilitetit financiar, për bankat me rëndësi sistemike gjithashtu mund të rekomandohet aplikimi i shtesave të veçanta të kapitalit, apo treguesve të likuiditetit të mjaftueshme për të përthithur humbjet dhe parandaluar krizat sistemike.
Masat e veçanta që iu vendosen bankave me rëndësi sistemike, kanë për qëllim të forcojnë kapacitetet e bankave për përthithjen e humbjeve në situata stresi financiar. Duke qenë se bankat me rëndësi sistemike, shpesh perceptohen si më të sigurta se të tjerat, kjo iu ofron një avantazh të pambështetur në drejtim të kostove të veprimtarisë dhe sipërmarrjes së rrezikut në raport me bankat e tjera. Ndaj, Banka e Shqipërisë vë në dukje se vendosja e masave më të shtrënguara mbikëqyrëse për bankat me rëndësi sistemike ndikon në “korrigjimin” e kësaj situate, pra i vendos bankat në një situate më të drejtë konkurrence.
Për klasifikimin e bankave me rëndësi sistemike, Banka e Shqipërisë ka zhvilluar një kuadër në metodologjik, që mbështetet në dokumentet dhe udhëzuesit e Komitetit të Bazelit për Mbikëqyrjen Bankare dhe ato të Autoritetit Bankar Europian. Sipas metodologjisë së përdorur nga Banka e Shqipërisë, kriteret për përcaktimin e notës së rëndësisë sistemike për secilën bankë të sistemit janë si më poshtë: (1) madhësia; (2) shkalla e ndërlidhjes; (3) zëvendësueshmëria; (4) kompleksiteti; (5) ndjeshmëria lokale. Të gjitha kriteret, përveç atij të zëvendësueshmërisë, janë të lidhura në mënyrë të drejtë me notën e rëndësisë sistemike, që do të thotë që, sa më e madhe të jetë vlera relative e bankës brenda kategorisë përkatëse (p.sh. madhësia ose kompleksiteti), aq më e madhe është rëndësia sistemike e institucionit përkatës dhe aq më e madhe do të jetë kostoja e shpëtimit ose kërkesa për kapital shtesë për përthithjen e humbjeve në rast falimentimi ose vështirësish financiare.