MENU
klinika

NBA

Lakers vetëm humbje, rikthehen Warriors

23.10.2018 - 11:24

Erdhi me shumë bujë te Lakers, por i vetëm LeBron James nuk mund të bëjë asgjë dhe është vërtetuar sot, teksa skuadra nga Los Angelos ka humbur ndeshjen e tretë në po kaq të zhvilluar, ku kalifornianët u mundën nga San Antonio Spurs 142-143.

James këtë herë u bë protagonist në aspektin negative, pasi gaboi goditjen e fundit të Lakers-ave, që në rast se e realizonte, mund t’i jepte fitoren skuadrës së tij. Minutat e fundit ishin vërtet të tmerrshme për Lebron që humbi edhe dy gjuajte të lira, edhe pse statistikat në tërësi ishin pozitive për numrin 23 të kalifornianëve, i cili e mbylli ndeshjen me 32 pikë 14 asiste dhe 8 rebound.

Lakers-ave nuk u mjaftoi për të evituar disfatën e tretë radhazi as paraqitja mbreslënëse e Kyle Kuzma, autori i 37 pikëve. Në krahun tjetër meritat më të mëdha në fitoren e Spurs i kishte dyshja Aldridge-DeRozan. 37 pikë realizoi i pari ndërsa ish lojtari i Torontos shtoi 32 të tjera për të udhëhequr San Antonion drejt suksesit të dytë sezonal.

Ndërkohë, është rikthyer te fitorja Golden State. Në shtëpi kampionët në fuqi të NBA nuk mund të gabonin përballë Phoenix Suns. Një fitore e thjeshtë dhe e thellë për Warriors, me rezultatin 123-103, me Stephen Curry-in që ishte më i miri mbi parket për të tijtë, me 29 pikë 8 asiste dhe 4 rebound.

Skuadra e momentit në këtë fillim sezoni në NBA është padyshim Toronto Raptors. Kanadezët nuk kanë rivalë në konferencën e Lindjes dhe këtë e treguan edhe në sfidën e fundit ndaj Charlotte Hornets të cilën e fituan 127-106, duke regjistruar suksesin e 4-t në po aq takime.

Kawhi Leonard me 22 pikë ishte lojtari që spikati më shumë te Raportos në këtë duel edhe pse pikëshënuesi më i mirë ishte Kemba Walker i Hornets. Në sfidat e tjera të mbrëmjes spikat humbja në shtëpi e Boston Celtics përballë Orlando Magic me rezultatin 90-93.

Standings provided by Sofascore LiveScore