Në kuadër të programit Edukimi Përmes Kulturës, nxënësit e shkollës së mesme “Ismail Qemali” morën pjesë në veprimtarinë “Një ditë me kuratorin” me temë: “Objektet e Sami Frashërit në Muzeun Historik Kombëtar”.
Takimi i sotëm kishte si qëllim prezantimin e objekteve të Sami Frashërit, si një nga ideologët kryesorë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe veprimtar i saj.
Reliket e Sami Frashërit u sollën në Shqipëri nga nipi i tij, Emin Erer, i cili ishte i pranishëm në festimet me rastin e 100-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Ndër objektet e Sami Frashërit në Muzeun Historik Kombëtar është skrivania e tij. Tryeza e punës është projektuar nga vetë Sami Frashëri, që të ishte funksionale dhe të shfrytëzonte sa më tepër libra në të njëjtën kohë.
Nëpër raftet e skrivanisë së Sami Frashërit gjenden libra të ndryshëm. Ndër librat e shkruara në gjuhën shqipe mund të përmendim këta tituj:
“Shkronjëtore e gjuhësë shqip”,“Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhetë” e cila përbën traktatin më të rëndësishëm politik e shoqëror të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, “Histori e përgjithëshme”, dramën “Besa” etj.
Me interes janë dy prej vëllimeve të veprës “Kamus al-a’lami”, në shqip (Fjalor i përgjithshëm i historisë dhe gjeografisë), shkruar në kulmin e pjekurisë intelektuale dhe shkencore të Sami Frashërit.
“Një ditë me kuratorin” synon të forcojë bashkëpunimin me shkollat e mesme dhe të larta, duke sjellë më afër objektin me nxënësit apo studentët, për të rritur ndjeshmërinë e brezave të rinj ndaj objekteve muzeore, si dhe të inkurajojë dialogun me qytetarët mbi historinë e kulturën.