MENU
klinika

Austriakët e kthejnë në Apolloni

Objekti që u zhduk gjatë Luftës së Parë Botërore

04.12.2018 - 18:02

Është dorëzuar sot në mjediset e muzeut arkeologjik nga Ambasadori i Austrisë në Tiranë, Johan Sattler, një kopje e një stele funerale, të gjetur në Apoloni në vitet ’20 të shekullit të kaluar.

Aktiviteti i dorëzimit të kopjes së njërës prej veprave më të rëndësishme arkeologjike është zhvilluar në Parkun Arkeologjik Kombëtar të Apolonisë, në praninë e ambasadorin austriak, zotit Sattler dhe drejtoreshës së Institutit Arkeologjik te Vjenës, Sabine Ladstatter dhe Alexander Sokolicek.

Objekti origjinal është marrë nga Apolonia, në fillimet e para të gërmimeve arkeologjike gjatë trazirave të Luftës së Parë Botërore. Ky objekt më vonë është blerë dhe është ekspozuar në mjediset e Muzeut të Vjenës. Tashmë kjo kopje do të jetë e ekspozuar në mjediset e muzeut arkeologjik të Apolonisë.

Nënkryetarja e Bashkisë së Fierit Enkelejda Peshkëpia ka falënderuar ambasadorin Sattler për kthimin e kopjes së kësaj vepre arkeologjike. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe drejtuesit e Institutit Arkeologjik të Austrisë, arkeologu Neritan Ceka, përfaqësues të institucioneve të ndryshme, specialistë të fushës së arkeologjisë etj.

Kjo vizitë ka si synim që të hapë rrugën e bashkëpunimit në të ardhmen e afërt nëpërmjet projekteve studimore e kërkimore.

Instituti Arkeologjik i Vjenës dhe Ambasada Austriake në Tiranë mundësuan dorëzimin e kopjes sipas origjinalit që gjendet ne Muzeun Arkeologjik të Vjenës.

“Sjellja e këtij objekti do të vijojë me bashkëpunime të tjera në vendin tonë”, u shpreh ambasadori Sattler.

Në vijim të këtij bashkëpunimi Ambasada Austriake në Tiranë, në bashkëpunim me Institutin shqiptar të Arkeologjisë dhe Muzeu Historik Kombëtar kanë çelur ekspozitën “100 vjet gërmime arkeologjike në Shqipëri. Prezenca austro-hungareze në arkeologjinë shqiptare”.

Kjo ekspozitë mundësohet nga me Sabine Ladstatter dhe Alexander Sokolevic nga Instituti Arkeologjik Austriak. Ekspozita çelet në bashkëpunim me dhe me arkeologët dhe profesorët shqiptarë Neritan Ceka, Luan Përzhita dhe Bashkim Lahi, sot më 4 dhjetor 2018 (ora ‪10:00 – 12:00) në Muzeun Historik Kombëtar.