“Detyrimet potenciale nga PPP-të do të rriten në 2019”, kështu ka bërë me dije Banka Botërore.
Ky fakt është bërë i ditur në përmbledhjen e BB-së për vendin tonë, ku theksin e ka vënë tek reformat strukturore.
Sipas BB qeveria po përshpejton pagesën e detyrimeve të prapambetura dhe kjo do të rrisë përgjatë 2019-2021 deficitin fiskal.
“Në kahun e shpenzimeve ato aktuale pritet që të mbetet të qëndrueshëm ndërsa shpenzimet kapitale të qeverisë projektohen që të rriten në 4.8 -4.9 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Projektet shtesë që pritet të financohen me PPP do të rrisin detyrimet potenciale”, vlerëson BB.
Kujtojmë që më herët Banka Botërore theksoi se në fund të janarit 2019:
“Në kahun e brendshëm, borxhi publik është i lartë, ndërsa niveli i ulët i kursimeve të brendshme dhe mungesa e investitorëve të mëdhenj institucionale e rrit varësinë ndaj burimeve të huaja të financimit. Rritja e varësisë nga PPP-të për projektet e infrastrukturës ka rezultuar në shtimin e detyrimeve potenciale. Rreziqet e brendshme gjithashtu përfshijnë ndikimin e thatësirës në prodhimin e energjisë, duke krijuar risqe për buxhetin“.
Banka Botërore gjithashtu vlerëson se projektimet për rritjen afatmesme varen nga ecuria e reformave strukturore dhe progresi drejt pranimit në Bashkimin Europian.
Shqipëria ka nevojë që të vijojë konsolidimin e saj fiskal dhe të adresojë risqet nga aktivitetet jashtë bilancit.