Flamurtari i ka dhënë një goditje të rëndë shpresave të skuadrës së Kukësit për të fituar titullin kampion.
Vlonjatët konfirmuan formën e mirë të javëve të fundit , duke mposhtur me rezultatin 1-2 skuadrën verilindore në “Elbasan Arena”. Xhevahir Sukaj në fund të pjesës së parë dhe Emiliano Musta në fillim të së dytës i dhanë një goditje morale skuadrës së Gjokës, që pavarsisht tentativave dhe rasteve të shumta për shënim nuk e gjeti më shumë se një herë golin, me Reginaldon në të 70’.
Me këtë humbje Kukësi thuajse ka humbur çdo shpresë për titullin kampion, duke qenë se Partizani, me fitoren e marrë në tavolinë ndaj Kamzës, thellon diferencën në 12 pikë më shumë se ndjekësit më të afërt.
Flamurtari është një rrezik serioz për verilindorët pasi distanca mes tyre është vetëm 1 pikë dhye një tjetër hap fals mund t’i kushtonte shtrenjtë të besuarve të Ernest Gjokës.
Një fitore të rëndësishme ka arritur të marë edhe Luftëtari në shtëpi ndaj Laçit, falë golit të realizuar nga Dunga në pjesën e dytë.
Gjirokastritët shkojnë në kuotën e 37 pikë, duke e fokusuar garën për mbijetesë mes Tiranës dhe Kastriotit.