Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, u tha udhëheqësve të Bashkimit Evropian se ai do të bisedojë me ta për Brexit-in, apo daljen e Britanisë nga BE-ja, kur ata t’i ndryshojnë qëndrimet për marrëveshjen e divorcit.
Qeveria e re britanike pritet të ndërmarrë një fushatë reklamuese për planet mbi shkëputjen e vendit pa dakordësinë e Bashkimit Europian.
Sipas të përditshmes angleze, “The Telegraph”, fushata do i kushtojë qytetarëve mbi 120 milionë dollarë deri në datën 31 tetor 2019.
Duke cituar burime brenda kryeministrisë, gazeta shton se për të çuar mesazhin te çdo familje dhe biznes në vend do të përdoren mjete të ndryshme informimi, si fletushkat, tabelat në rrugë, radiot dhe televizionet.
Disa nga informacionet do të kenë të bëjnë me udhëtimet jashtë shtetit, importet, apo furnizimin me medikamente dhe ushqime kur të ndodhë Brexit.
Fushata propagandistike e frymëzuar nga kryeministri i ri, Boris Xhonson, do të ishte më e madhja që zhvillohet që prej Luftës së Dytë Botërore.
Kritikët nuk kanë vonuar ta etiketojnë atë “një shpërdorim të turpshëm të parave publike”.
Por me marrjen e detyrës më 24 korrik, kreu i qeverisë, Xhonson, është zotuar ta nxjerrë vendin nga BE-ja me çdo kusht.
Ai i ka bërë të ditur Brukselit se nuk ka ndër mend të takojë asnjë lider europian për Brexit për aq kohë sa ata nuk janë ta gatshëm të rinegociojnë çështjen e rikthimit të kufijve fizikë mes Britanisë dhe Irlandës, siç parashikon marrëveshja aktuale.
Qëndrimet kategorike të kryeministrit dhe frika e një Brexit pa dakordësi, ndërkohë, të hënën u reflektuan edhe në bursa, ku paundi britanik zbriti në pikën më të ulët që nga viti 2017.
Britania ka arritur marrëveshje me BE-në mbi kushtet e divorcit nëntorin e kaluar, pas dy vjetësh negociata.
Por, ajo është refuzuar tri herë nga Parlamenti britanik, çfarë ka çuar edhe në dorëheqjen e kryeministres së deritashme britanike, Theresa May. Zyrtarët evropianë kanë përsëritur muajin e kaluar se nuk do të ketë negociata të reja.
Britania, e cila ka vendosur për Brexit në një referendum në vitin 2016, duhet të largohet nga BE-ja deri më 31 tetor. Fondi Monetar Ndërkombëtar e ka paralajmëruar atë për pasoja të rënda ekonomike nëse Brexit-i bëhet pa marrëveshje me BE-në.