MENU
klinika

Pushteti 20-vjeçar

Fjalimi i fundvitit/ Putin u bën thirrje rusëve për bashkim

01.01.2020 - 09:47

Presidenti Vladimir Putin u bëri thirrje rusëve që të bashkohen për hir të së ardhmes së vendit në fjalimin e Vitit të Ri të Martën (31 Dhjetor), që shënon dy dekada nga ardhja e tij në pushtet.

Duke u paraqitur sipas traditës, jashtë Kremlinit, për një mesazh që do të transmetohej pak para mesnatës, udhëheqësi 67-vjeçar u foli rusëve për herë të 16-të që nga largimi i Boris Yeltsin në 1999.

‘’Ne duhet të bëjmë gjithçka për tu siguruar që Rusia të ketë sukses,” tha Putin, i veshur me një pallto të zezë, në mesazhin e postuar paraprakisht nga kanali shtetëror Rossiya 1.

“Vetëm së bashku mund t’i zgjidhim problemet për vendin, për shoqërinë tonë. Uniteti është themeli për arritjen e qëllimeve”, tha ai.

“Planet dhe ëndrrat tona personale janë të pandashme nga Rusia. E tashmja dhe e ardhmja e saj varen nga përpjekjet dhe kontributet e secilit prej nesh.”, shtoi presidenti rus.

Putini tha që mezi priste të festonte 75 vjetorin e fitores së Luftës së Dytë Botërore të Rusisë në vitin 2020 dhe falënderoi veteranët.

Moska po planifikon të presë udhëheqësit botërorë gjatë festimeve në 9 maj, një nga festat më të mëdha zyrtare të Rusisë.

I pyetur për pikëpamjen e Kremlin mbi arritjet dhe dështimet kryesore të vitit që ndaheshin, zëdhënësi Dmitry Peskov pranoi se rusët po luftojnë ekonomikisht, por vlerësuan “stabilitetin” e ekonomisë.

Një mesazh drejtuar kombit nga drejtuesit në Moskë ka qenë një traditë që nga vitet 1970 dhe transmetohet rreth mesnatës.

Në Moskë, rusët që festojnë në natën e Vitit të Ri shikojnë fjalimin ndërsa presin ndërrimin e viteve dhe një shfaqje spektakolare fishekzjarresh.

Më 31 Dhjetor 1999, Yeltsin njoftoi se do të ishte “hera e fundit” që ai do të dërgonte mesazhin dhe do t’i dorëzonte pushtetin Putinit, një agjent i ish-KGB dhe kryeministri i atëhershëm.

Yeltsin, i cili kishte pësuar disa atake në zemër, tha se Rusisë i duhej “të hynte në mijëvjeçarin e ri me politikanë të rinj” dhe kërkoi falje për gabimet e bëra.

Putin, që nga ajo kohë ka qenë në krye të vendit.

Kremlini filloi të martën një uebfaqe speciale të quajtur “Putin. 20 vjet.” Në uebfaqe paraqiten fotot e takimit të forcave ruse me personalitete të ndryshme dhe përshkruan çdo vit, megjithëse për momentin vetëm katër të parat janë  hedhur.

“Albumi multimedia” ka për qëllim të shfaqë momente të lumtura dhe tragjike, dhe disa foto nuk janë publikuar kurrë më parë, thuhet në faqe.

Përkthyer dhe përshtatur nga Strait Times/ konica.al