MENU
klinika

Marrëveshja me Libinë

Greqia ‘kërcënon’ Turqinë: Mos e kaloni vijën e kuqe!

03.01.2020 - 19:25

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ka ripërsëritur kritikat e tij për veprimtarinë e Turqisë në Egje dhe Mesdheun Lindor, dhe paralajmëroi Ankaranë që të mos kalonte “vijën e kuqe”.

“Ne nuk do të lejojmë asnjë veprimtari turke që do të cenonte të drejtat sovrane të Greqisë,” tha Mitsotakis në një intervistë për gazetën “Globe and Mail”, të botuar në Toronto, duke iu referuar një marrëveshje të kufijve detarë  të nënshkruar së fundmi midis Turqisë dhe Libisë.

Pakti kërkon të krijojë një zonë ekskluzive ekonomike nga brigjet jugore të Mesdheut të Turqisë deri në bregdetin verilindor të Libisë.

Greqia dhe Qipro, të cilat kanë pasur prej kohësh mosmarrëveshje detare dhe territoriale me Turqinë, thonë se marrëveshja është e pavlefshme dhe shkel ligjin ndërkombëtar të detit.

Në të njëjtën intervistë, kryeministri Grek sugjeroi që nëse Athina dhe Ankaraja nuk mund të zgjidhin mosmarrëveshjen e tyre për zonat detare në Mesdhe, ata duhet të drejtohen pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ) në Hagë për të zgjidhur mosmarrëveshjen.

“Ne jemi të gatshëm të bisedojmë me të gjithë fqinjët tanë, përfshirë natyrisht Turqinë. Nëse nuk arrihet asnjë marrëveshje, ne jemi të hapur për juridiksionin ndërkombëtar,” tha Mitsotakis.

“Por vija e kuqe nuk mund të kalohet nga askush,” shtoi ai.

Përkthyer dhe përshtatur nga Kathimerini/ konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN