MENU
klinika

Deutsche Welle/ Efektet në ekonomi

Do të perëndojë globalizimi nga një virus?

01.03.2020 - 12:38

Virusi Corona ka potencialin të gjunjëzojë ekonominë botërore. Ekspertët llogarisin me efekte të rënda në eksporte dhe zinxhirët e prodhimit e furnizimit. Virusi e ka zënë ndërkohë edhe ekonominë në Gjermani.

“Firmat po kuptojnë tani, se sa i brishtë është sistemi global i prodhimit”, tha Gabriel Felbermayr, president i Institutit për Ekonominë Botërore në bisedë me Deutsche Welle. Efektet e virusit Korona tek ekonomia po i kujtojnë ekonomistëve kapitullimin e sistemit financiar në vitin 2008, kur falimentoi Banka Lehman Brothers. Shumë vetë asokohe kuptuan, se sa i brishtë është sistemi financiar. Si pasojë u bënë ndryshime në strukturat financiare. “Një gjë e tillë mund të kristalizohet edhe tani pas virusit Korona”, thotë Felbermayr.

Epidemia si “Game Changer”
Efektet ekonomike epidemia i ka për shkak të masave dragoniane të autoriteteve dhe firmave, për të penguar përhapjen e mëtejshme të virusit duke kufizuar udhëtimet apo mbyllur fabrika. Nga kjo vuajnë më shumë sipërmarrjet që janë të lidhura me rrjetet ndërkombëtare apo ato të eksportit. Ministri francez i Ekonomisë, Bruno Le Maire e shikon lëndueshmërinë e zinxhirëve ndërkombëtarë të furnizimit për shkak të epidemisë madje edhe si “Game Changer” për globalizimin, një ngjarje që mund të ndryshojë tërësisht zhvillimet e deritanishme. Shpërthimi i krizës e pasojat e epidemisë treguan një varësi “të papërgjegjshme dhe jo të arsyeshme” nga Kina. Duhet të rimendohen zinxhirët globalë të furnizimit në fushën e shëndetësisë apo industrinë e automjeteve, tha Le Maire. “Ne nuk mund të jemi edhe më tej të varur nga Kina në 80-85% të prodhimeve farmaceutike”, tha ai gjatë vizite në Athinë.

Presidenti i Dhomës Europiane të Tregtisë në Kinë, Jörg Wuttke ka thënë se pasojat ekonomike për shkak të virusit “do të jenë edhe më të mëdha se mendojnë shumë vetë”. “Mua më vijnë thirrje për ndihmë nga të gjitha anët”, tha Wuttke në një intervistë. Për koncernet e mëdha kjo situatë nuk është ndonjë problem i madh, por “shumë sipërmarrje të mesme janë në krizë.”

Rrezikohet furnizimi
Deri më tani janë nënvlerësuar pasojat e furnizimit në Gjermani. Por vetëm koncerni i transportit të anijeve, Cosco dhe Maersk bën të ditur, se në katër javët e fundit nuk mund të lëviznin nga vendi 70 anije me kontenierë. Për shkak se anijet janë afër 6 javë në lëvizje, ende ka anijë që vijnë nga Kina, por “por kjo do të ndryshojë shpejt, do të vijnë më pak anije, e atëherë në Europë disa lloje produktesh do të mungojnë. Me një tufë masash, sipërmarrjet e furnizimit në Gjermani po përgatiten për të përballuar efektet e mungesës së prodhimeve nga Kina. “Në shumë sipërmarrje janë krijuar “task force” për të identifikuar ndërprerjet e furnizimit dhe për të reaguar në kohën e duhur”, thotë Riccardo Kurto nga Shoqata Federale e Ekonomisë Materiale, BME për DW.

Rënie e madhe në bursa
Kurto thekson, se ka shumë rëndësi që autoritetet kineze të informojnë në mënyrë transparente për përhapjen e virusit. Sipas BME, rrjeti i anëtarëve në Kinë ka njoftuar, se po kërkohen rrugë alternative furnizimi nga pjesë të tjera të botës. Partnerë të BME na “kanë thënë, se rezervat e tyre në magazina kanë arritur një pikë kritike. Prandaj ata porositin tani tek furnizues të tjerë jashtë Kinës materialet që mungojnë në prodhim”, thotë Kurto. Lufthansa ndërkohë planifikon të zgjerojë dërgimin e avionëve të mallrave në Kinë. Sektori i furnizimit me avionë me rifillimin e prodhimit global mund të jetë edhe përfituesi kryesor, deri sa të aktivizohen të gjithë zinxhirët e tjerë të furnizimit.

Industria e automjeteve, shumë e rëndësishme për Gjermaninë, ka pasur probleme që më parë për shkak të Brexit dhe konfliktit tregtar SHBA-Kinë. Për shkak të përhapjes dinamike të virusit, është shfaqur një rrezik i ri, i vështirë për t’u parashikuar, thotë eksperti i automjeteve Ferdinand Dudenhöffer. Nuk bëhet fjalë më për stabilitetin e zinxhirëve të furnizimit, por “për rënien gjithnjë e më të madhe të kërkesës në një dimension në rritje.” Dudenhöffer parashikon një krizë të fortë të tregut botëror të automjeteve për shkak të pasojave të virusit Korona. Fritzi Köhler-Geib, eksperte e ekonomisë në bankën KfW, bën një parashikim të zymtë. “Nëse virusi Korona kthehet në një epidemi të gjatë dhe prek edhe rajone të tjera të botës, atëherë priten efekte edhe më negative në tregtinë e jashtme dhe zinxhirët e prodhimit global, të cilët prekin mjaft industrinë gjermane.” Organizata Botërore e Shëndetësisë ndërkohë ka paralajmëruar nga një pandemi./Deutsche Welle

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Shifrat e kuqe" mbulojnë ekranet

CNBC/ Bursat europiane “humbasin kontrollin”

Fitimi i parë pas 6 javësh

CNBC/ Stabilizohen çmimet e naftës

Nga lufta tregtare tek ulja e prodhimit

CNBC/ Çfarë e pret ekonominë globale?