MENU
klinika

CNBC/ Si ndikoi virusi SARS?

Nga një kompani e “tregtisë online” në një megabizes

27.03.2020 - 13:37

Në një kohë që shpërthimi i COVID-19 mund të ketë zënë shumë kompani në situatë të panjohur, për kompaninë gjigande Alibaba, kjo nuk është hera e parë që po përballet me një moment delikat.

Drejtori i kompanisë Alibaba, Daniel Zhang është shprehur se efektet ekonomike të COVID-19 janë një sfidë e ngjashme për biznesin e tij, e në të njëjtën kohë, kjo krizë do të shërbejë si mundësi për të krijuar forca të reja ndryshimi. Zhang, sigurisht u shpreh gjithashtu se është përqendruar në shëndetin dhe mirëqënien e komunitetit, duke bërë përpjekje për të mbrojtur sigurinë e punonjësve. Po ashtu, Fondacioni Alibaba dhe Fondacioni Jack Ma kanë dhuruar furnizime mjekësore në të gjithë botën.

Megjithatë, le të rikthehemi pak në kohë, kur një sfidë e ngjashme e vitit 2003, virusi SARS, i cili ishte gjithashtu një lloj i coronavirus, e vendosi kompaninë në rrugën e saj për t’u kthyer në një biznes me vlerë 470 miliardë dollarë.

Alibaba, kompania e blerjeve online, e cila synon firmat kineze që kërkojnë në shesin mallrat dhe produktet e tyre në mbarë botën, u themelua në vitin 1999. Tre vite më vonë, kur kishte vetëm 400 punëtorë (ndërkohë që sot numëron mbi 100.000), arriti në nxirrte fitimin e parë vjetor, në 2002. Por, atë vjeshtë shpërtheu dhe virusi SARS.

Ndërsa në 2003, SARS u shndërrua në pandemi, ai paraqiti një sfidë të madhe për ekonominë e Kinës, përfshirë këtu edhe biznesin “e ri” në treg, Alibaba. Në maj 2003, një punonjës i kompanisë u prek me virusin SARS, çka solli që të gjithë punonjësit e kompanisë të karantinoheshin. Punëtorët morën kompjuterët e tyre në shtëpi, për t’u siguruar që platforma e blerjeve online të vijonte të funksiononte. Gjatë asaj kohë, stafi i kompanisë Alibaba punonte 12 orë në ditë, me linjën telefonike të shërbimit të klientit.

Ndërkohë, një ekip drejtuesish të kompanisë u mblodhën në apartamentin e Jack Ma-së, për të përfunduar ndërtimin e webfaqes Taobao, të përqendruar te konsumatorët,si një iniciativë e re e kompanisë, e nisur vetëm pak para shpërthimit të virusit SARS. E kështu, sajti më i ri u lancua në 10 maj 2003.

Në një kohë që njerëzit ishin të izoluar në shtëpitë e tyre, për shkak të mbrojtjes nga virusi SARS, ky ishte një moment i artë për kompaninë e blerjeve online, Alibaba, pasi të gjithë konsumatorët kinezë u orientuan drejt blerjeve në internet, duke porositur artikuj dhe produkte nga shtëpia.

Në librin e vitit 2016 “Alibaba: Shtëpia që Jack Ma Ndërtoi”, autori Duncan Clark shkruan se shpërthimi i SARS krijoi pikën e kthesës, kur Interneti u shfaq si një medium me të vërtetë masiv në Kinë.

Përpos faktit se eBay kishte filluar në Kinë një vit më parë, e kishte investuar 250 milionë dollarë, Taobao u bë konkurrenti kryesor i kompanisë amerikane, që në atë kohë ishte një biznes miliarda dollarësh. Jack Ma arriti të tërhiqte klientët nga eBay, duke ju lejuar përdoruesve të rinj të shisnin produktet tyre në Taobao falas për 3 vjet.

Deri në vitin 2006, Taobao zotëronte një pjesë të madhe të tregut, duke e detyruar kompaninë eBay të tërhiqej nga Kina. Sot, Taobao ka mbi 600 milionë përdorues në muaj dhe ndihmoi të kthente kompaninë Alibaba në një prej kompanive më të mëdha në botë të tregtisë online, me mbi 56 miliardë dollarë të ardhura vjetore.

Sigurisht, kjo nuk do të thotë se pandemia COVID – 19 e kohërave “moderne” do të sjellë domosdo të njejtin rrugëtim për kompaninë e blerjeve online. Çmimet e aksioneve të kompanisë Alibaba, kanë përjetuar tanimë një rënie me 12% të aksioneve. Megjithatë, Zhang vuri në dukje në raportin e tremujorit të parë të kompanisë se COVID – 19 mund të sjellë një zvarritje të tregut të blerjeve online, por që Alibaba po shfrytëzon çdo mundësi për rritjen afatgjatë të ekonomisë “dixhitale”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Një javë për tu mbajtur mend

BBC/ Tregjet ngrejnë flamurin e kuq

COVIZ-19 "paralizon" qytetet

CNBC/ Zbrazen marketet në Itali

Fitimi i parë pas 6 javësh

CNBC/ Stabilizohen çmimet e naftës