Presidenti amerikan Donald Trump nenshkroi në ligj një paketë prej 484 miliardë dollarësh që ndihmon bizneset e vogla dhe spitalet e dëmtuara rëndë nga pandemia e koronavirusit mesditën e së premten.
Kjo paketë, e katëra e miratuar brenda dy muajsh do t’i japë mundësi me dhjetëra milionë më shumë amerikanëve që të përfitojnë nga fondet lehtësuese ndërsa shumë prej bizneseve janë mbyllur si pasojë e pandemisë. Prej 5 javësh, më shumë se 26 milionë amerikanë kanë bërë kërkesë për të përfituar pagesën e papunësisë, shifër kjo që u rrit me 4.4 milionë vetëm javën e fundit.
Mbyllja e aktivitetit ekonomik është pasuar me thirrje të revoltuara për heqjen e masave. Edhe Presidenti Trump është shprehur i paduruar ndaj kufizimeve të vëna. Disa guvernatorë kanë filluar të zbusin masat e izolimit, megjithëse autoritetet shëndetësore paralajmërojnë se është ende herët për t’u kthyer në normalitet. Në shtetin Xhorxhia, palestrat, sallonet e bukurisë dhe biznese të tjera argëtimi do të rihapen të premten. Në Teksas janë rihapur parqet shtetërore.
Të paktë janë ekonomistët që besojnë se situata e papunësisë në SHBA do të jetë e krahasueshme me Depresionin e Madh kur papunësia përllogaritej në 14% nga 1931-1940, duke arritur deri në 25% në një periudhë. Por gjithsesi parashikohet një papunësi e lartë për vitin e ardhshëm dhe ndoshta edhe më gjatë. Parashikohet gjithashtu që niveli i papunësisë të kalojë nivelin prej 10% të periudhës së recesionit të 2008-2009.
Paketa lehtësuese, u miratua me shumicë votash në Dhomën e Përfaqvsuesve ndërsa zoti Trump dhe Zëvendës Presidenti Mike Pence po zhvillonin konferencën e përditshme për shtyp në Shtëpinë e Bardhë. Presidenti tha se SHBA ndodhet “shumë pranë vaksinës që lufton koronavirusin , duke shtuar se “për fat të keq nuk jemi shumë afër testimit të saj”. Shkencëtarët thonë se nëse kërkimet paraprake shkojnë mirë, vaksinat do të ishin të gatshme për prova klinike nga një vit në 18 muaj.
Ndërkohë të premten në SHBA numri i të prekurve nga koronavirusi ka arritur në rreth 880 mijë persona ndërsa ai i atyre që kanë humbur jetën në mbi 50 mijë sipas të dhënave të universitetit Johns Hopkins./VOA