Kur Jean Monnet, një nga baballarët themelues të Bashkimit Evropian, paralajmëroi dekada më parë se Evropa do të formësohej nga krizat dhe “do të ishte shuma e zgjidhjeve të saj”, pak mund ta imagjinonin që parashikimi i tij një ditë do të provohej nga një virus.
Të hënën, duke folur në ekran të përbashkët nga kryeqytetet e tyre përkatëse, Kancelarja Angela Merkel e Gjermanisë dhe Presidenti Emmanuel Macron i Francës folën për “krizën më serioze në historinë e BE” dhe njoftuan se kishin gjetur një zgjidhje .
Në një veprim të guximshëm që mund të transformojë rrënjësisht Bashkimin Evropian, Franca dhe Gjermania kanë propozuar një fond rimëkëmbjeje 500 miliardë euro për të ndihmuar në rindërtimin e ekonomive të shkatërruara.
Sa e guximshme është kjo, në një kohë të planeve gjigande të shpëtimit në të gjithë botën? Guximi nuk është aq shumë në madhësinë e sugjeruar të fondit por në metodën e financimit: Për herë të parë në historinë e tij, Komisionit Evropian do t’i lejohej të huazonte nga tregjet financiare. Jo Gjermania apo Franca, jo Gjermania dhe Franca, por BE. Fondi i rimëkëmbjes do të ndahej si grante për rajonet më të goditura nga pandemia e koronavirusit, dhe për sektorë, si turizmi, të prekur direkt nga kriza ekonomike. Grante, jo hua: Paratë e huazuara nga tregjet financiare do të rimbursohen nga BE, jo nga vendet individuale që përfitojnë.
“Për shkak të natyrës së pazakontë të krizës, ne po bëjmë një rrugë të pazakontë,” tha Merkel për nismën, e cila përfaqëson një ndryshim të madh ideologjik për Gjermaninë. Si vendi më i pasur evropian, Gjermania gjithmonë i ka rezistuar idesë së një “bashkimi transferimi”, në të cilin do të duhej të paguante për vendet anëtare më të prekura. Kjo rezistencë ka ndikuar shumë tek uniteti evropian.
Presidenti Macron tha se kriza kishte dobësuar sovranitetin evropian dhe kishin bërë “një gabim strategjik”. Nga ana e saj, Merkel, theksoi se politika evropiane për konkurrencën e kishte lënë të hapur fushën për Kinën, Shtetet e Bashkuara dhe Korenë e Jugut për të krijuar kampionë industrialë globale. Tani është koha, tha ajo, për të krijuar “kampionë evropianë”.
Kjo ka qenë prej kohësh ëndrra gjeopolitike e Presidentit Macron, por duhen përpjekje të mëdha politike nga të dy palët.
Mbetet të shihet nëse 27 vendet anëtare do të shfrytëzojnë mundësinë dhe të kenë sukses në shpëtimin e idealit të tyre të përbashkët nga demonët e ndarjes dhe egoizmit. Padyshim që do të nevojitet punë e vështirë për të bindur të ashtuquajturat vendet veriore “kursimatrë”.
Këtë dimër, uniteti evropian mori fund. Vendet anëtare rivendosën kufijtë brenda zonës Shengen dhe luftuan për shpërndarjen e maskave. Duke mos pasur një politikë ligjore të përbashkët shëndetësore, Evropa dështoi në mënyrë spektakolare.
Evropianët, kuptuan se si dukej një kontinent i shpërbërë dhe sa kushtuan politikat e tyre të pakoordinuara shëndetësore. Pastaj ata pane përreth.
Paradoksalisht, Shtetet e Bashkuara mund të kenë ndihmuar. Përgjigjet ndaj shkatërrimit ekonomik të shkaktuar nga koronavirusi kanë treguar qartazi dallime të mëdha trans-Atlantike dhe ringjallën idenë e një “modeli evropian”.
Kjo krizë ka tronditur shumë besime dhe ka hapur shumë rrugë në kërkimin e një bote më të mirë, por gjithashtu ka forcuar besimin në një element thelbësor të identitetit evropian: rrjetën e sigurisë që pritet të sigurojë shteti për qytetarët e saj.
Shteti i mirëqenies ka dëshmuar se ia vlen: shumica e ekonomistëve presin që qeveritë evropiane të shpenzojnë edhe më shumë para për sistemet e tyre të shëndetit publik në të ardhmen.
Më e rëndësishmja, uniteti shoqëror ka mbizotëruar deri më tani. Edhe në vendet e ndara si Franca, , ose në Britaninë e Brexituar, evropianët më së shumti kanë pranuar masat e imponuara.
Ata tani e dinë që ne nuk jemi afër fundit të kësaj krize; papunësia masive po afrohet, dhe tensionet sociale do të ndizen përsëri.
Do të ketë më shumë momente të së vërtetës për Evropën. Por të paktën ajo ka mbijetuar, tani për tani.
Sylvie Kauffmann është drejtori editorial dhe një ish-kryeredaktor i Le Monde.
Përkthyer dhe përshtatur nga New York Times/ Konica.al