Ekonomia gjermane vazhdon të kontraktojë, duke humbur 15 miliardë euro (16.6 miliardë dollarë) në javë për shkak të recesionit të shkaktuar nga Covid-19, ka thënë një raport i ri. Ai paralajmëroi se do të duhen të paktën tetë vjet që vendi të rikuperohet.
Gjermania pritet të humbasë midis pesë dhe 10 përqind të PBB-së së saj deri në fund të vitit 2020, shkroi dega gjermane e firmës së konsulencës me qendër amerikane McKinsey & Company në raportin e saj të fundit.
Ekonomia u kontraktua me 25 përqind në prill në krahasim me vitin e kaluar, që arrin të humbasë afërsisht 15 miliardë euro (16.6 miliardë dollarë) në javë.
Analistët në McKinsey paralajmëruan se ekonomia gjermane do të kthehet në nivelin e saj të rritjes para-pandemisë në 2028, nëse vendi miraton reforma strukturore drejt automatizmit dhe industrive të bazuara në AI. “Përndryshe, kthimi në modelin origjinal të rritjes nuk do të jetë më i mundshëm në këtë dekadë,” thuhet në raport.
Sipas vlerësimeve të McKinsey, kriza e nxitur nga pandemia ka prekur deri në nëntë milion punëtorë, e cila është “shtatë herë më shumë se gjatë pikut të krizës financiare [2008-2009]”.
Parashikimet e zymta të firmës korrespondojnë me tonin e matur të qeverisë gjermane. Në fillim të kësaj jave, Ministri i Ekonomisë Peter Altmaier paralajmëroi se vendi “do të përjetojë recesionin më të keq në historinë e republikës federale” themeluar menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore.
“Efektet e pandemisë së koronavirusit do ta shtyjnë ekonominë tonë në një recesion pas 10 viteve rritje,” tha Altmaier.
Kriza ka goditur keq edhe Francën fqinje, ku Kryeministri Edouard Philippe parashikoi muajin e kaluar se vendi do të vuajë nga recesioni i tij më i keq që nga viti 1945.
/Përkthyer dhe përshtatur për Konica.al nga RT