Nga Dritëro Agolli*
I miri Baba Reshat
Unë do të mundohem të shkruaj për Baba Reshat Bardhin disa grimca, që po t’i mbledhësh, mund të bejnë një të vërtetë, pavarësisht së cfarë peshë ka afërsia apo miqësia. Ndofta diçka e padukshme dhe diçka e një tingulli zëri, që vjen nga thellësia e shekujve e bën njeriun të mendojë, së cilët kanë qenë gjyshërit dhe stërgjyshërit e tij dhe çfarë u ka mbetur prej tyre në këtë oqean valësh ndryshimesh.
Në këtë oqean ka lundruar edhe varka ime. Kjo varkë bektashinjsh u kthye në motoskaf ateistësh. Rreth ketyre fijesh, ndofta edhe tek-tuk të palidhura, e nisëm njohjen me Baba Reshat Bardhin në Kryegjyshatë para pesëmbedhjetë vjetëve dhe mbase më herët.
Për mua ky takim kishte dy vlera shpirtërore: njoha një njeri që ngroh të tjerët jo me bombula gazi, por një bombul që quhet zemër ; njeri me urtësi popullore, i dashur dhe mikpritës i rrallë, që vetëm nxiste afrimin jo largimin. Vlera e dytë pas këtij takimi ishte zgjimi më tej i mendimeve për të njohur më thellë vetveten në marrëdhëniet e paraardhësve të mi me bektashinjtë, gjyshërve dhe stërgjyshërve.
Dhe kështu, në një festë të Sulltan Nevruzit, në fillim të pranverës, na ftoi Baba Reshati në Kryegjyshatë mua, Moikom Zeqon, dhe Xhevahir Spahiun. Kur shkuam, para shkallëve të Kryegjyshatës e gjetëm hapësirën të mbushur me radhë poltronash dhe karrigesh.
Baba Reshati na priste në sallon i veshur për festë ; në kokë, si ngaherë, mbante taçin e bardhë me rripin e gjelbër përreth dhe sytë e kaltër të ndritur pranë mjekrës. Në çast u përhumba në një vegim, që më solli femirinë, kur shkoja me gjyshin tim Nesim në teqenë e Kucit të Devollit tek Baba Ahmeti. Edhe ai, ashtu fliste ngadalë dhe me urtësi. Ndofta prandaj pata një turbullim kujtese dhe në vend t’i thosha Kryegjyshit Baba Rexhat, i thashë Baba Ahmet.
*S’ka gjë, njëlloj jemi ! – tha Baba Reshati.
*U ngatërrova, se Baba Ahmeti më ka vënë emrin Dritëro,
*Epo unë po ta vë përsëdyti emrin, qeshi ai.
Pastaj ai na përcolli në një dhome të vogël me një tavolinë të shtruar me mehze e raki, duke thënë së do ta hapte festën e Sulltan Nevruzit.
Për dy tri minuta ne e ndjemë veten të veçuar nga të tjerë që festonin dhe na mbështolli një cipë e hollë melankolie. Vështruam shoku-shokun dhe u ulëm në tavolinë, pasi edhe gotat e Baba Reshatit po na i bënin me sy. Ngritëm një shëndet për Kryegjyshin, pastaj për dervishët e me radhë. Si u bëmë pak entuziastë nga lëngu i Kapedan Rrushitit, menduam t’ia merrnim këngës.
*Merrja asaj këngës së Durballisë, – më tha Moikomi. Dhe unë ia mora:
Durballi të qofsha fale,
Më trego Kasem Babannë
Ta di ku e ka meqanë…
*Tani Baba Reshati po na bën bektashinj ! – thirri Xhevahir Spahiu dhe qeshi me të madhe.
*E mo, së ti je bërë prej kohesh bektashi atje në Baba Tomor tek Abaz Aliu ! – ia preu Moikomi.
*E kështu, Baba Reshat ! –thashë unë sikur Baba Reshati të ishte në tavoline,thashë si nëpër mjegull, pastaj e mblodha veten. Mire që nuk e degjuan Moikomi dhe Xhavahiri, së do të mendonin sikur unë do të kisha fluturuar mes tymit të aluçinacioneve, ku më ishte shfaqur figura e Baba Reshatit. Ky ishte vetëm një cast sa të hapje dhe të mbyllje syte, ishte vegim, si vargjet e Naimit:
“Engjëll që m’u qase pranë
Nga i madhi Zot,
As më trego Qerbelanë,
Se do qaj me lot.
*Na u vonua Baba Reshati, – tha Moikomi.
*Hajde, shendeti i Babajt ! – ngriti gotën Xhevahiri.
Pa dashur unë pëshpërita : o « nostos » o « algos » që do të thotë kthim në vendlindje dhe dhimbje. Ky është dhe kuptimi i nostalgjise, i mallit në gjuhën antike greke. Vetetimthi m’u kujtua gjyshi, kur shkonim në teqe tek baba Ahmeti atje ku ishte dhe varri i Kasem babajt, themeluesit të asaj teqeje, gjyshi im ishte edhe myhip, njëri nga ata që u jepnin votën në zgjedhjet e babajt të teqese, si sot që zgjidhet kryetari i një partie. në çast u drodha dhe thirra:
*Xhevo, më zuri rakia
*Nuk të ka zënë rakia por miresia ! – ishte zeri i Baba Reshatit, që kishte ardhur pas ceremonisë së festes të Sulltan Nevruzit.
Ai ngadalë, me një ze të butë si kadife, e mbushi gotën dhe e ngriti për shëndetin tonë. Ishte i lodhur nga ceremonia e festës, duke pritur edhe personalitete zyrtare, që e dimë sa shqetësime të ngjallin ! Por Baba Reshati me urtesinë e njeriut popullor, pa poza të një fetari me njohuri teologjike, ia dilte mbane edhe personaliteteve të llojeve të kultures politike apo shoqërore.
Në ato pak çaste, që na kishin mbetur, duke u përfshirë në atmosferën e festës, folëm për Qerbelanë, kujtuam Naim Frashërin dhe epopenë e tij, « Qerbelaja » ku shkruhet për martirët e Fushës së Qerbelasë, për Imam Hysenin dhe Abaz Alinë, duke arritur deri tek Haxhi Bektash Veliu.
*Po ! – tha Baba Reshati.
*Çfarë « Po » ?, – u hodh njëri nga ne.
Baba Reshatit nuk i erdhi mirë nga kjo pyetje pak e ashpër. Ai fërkoi duart, pastaj me gishtërinj shpërndau mjekrën dhe tha:*Po prisni pak ! Dua të them së Haxhi Bektash Veliu është themeluesi i sektit të Bektashizmës. Unë nuk di aq gjëra sa ç’dini ju. Edhe i dini gjërat e fesë mirë e bukur dhe thoni: nuk …
Baba Reshati u përmbajt nga një hije nervozizmi:
*Jini të mirë. Ke qejf të bësh muhabet. Ja, Xhevua po këndon. E kam parë edhe në festën e Baba Tomorit, ka qenë edhe Moikomi, – tha ai dhe u ngrit, duke shtuar:
Do të takohemi në një mbremje bashkimi dhe mirësie. Më ka premtuar një miku im. Hajde, shëndeti juaj!
*Nuk ka si uji ! – dhe Baba Reshati gotën e fundit e ngriti me ujë…
Njeriu, pas një takimi në një tryezë me miq, por me pikëpamje të ndryshme shoqërore apo filozofike, bie në mendime, duke marre shkas qoftë edhe nga një fjalë e thjeshtë si « bar » apo « ujë ». Duke dalë nga Kryegjyshata, thashë me vete : « Pse Baba Reshati në mbarim të drekës e ngriti gotën me ujë dhe përshëndeti « s’ka si uji » ! Aty për aty më erdhën në mend vargjet e Naimit për Abaz Alinë, heroit të Qerbelasë:
Ç’esht’ ay që shkon kaluar,
Iken si veriu,
Me dy-tri foshnja në duar?
Eshte Abaz Aiu!
Shpije foshnjatë në lumë,
Se s’durojne dot,
I ka marrë etja shumë,
E qajnë me lot!
Ujët ua kanë prerë,
Janë në shtrëngim,
Si të varfër e të mjerë,
Në zi, në hidhërim.
Është e çuditshme. M’u përzjenë mendimet edhe me ato çka kisha lexuar nga materialistët e lashtë grekë, që thoshin së uji dhe zjarri janë baza e materies. Ja, ç’bëri gota me ujë e Baba Reshatit.
Kaloi një kohë dhe rastësisht më telefonon Ekrem Bardha, atdhetar shqiptaro-amerikan, i pari biznesmen i ardhur nga Amerika, që ndër të tjera, kishte hapur lokalet e njohura « Piazza » në Tiranë. Ai më thotë së këto ditë do të shkojme në një darkë në Kryegjyshatë tek miku ynë Baba Reshati. Atë javë unë kisha dhënë një interviste në një kanal televizioni, ku mes bisedës në një pyetje kisha thënë së « jam ateist dhe i besoj vetëm materies ». Në çast mendova së Baba Reshatit kjo shprehja ime për ateizmin nuk do t’i kishte ardhur mirë, aq më tepër që unë rridhja nga gjyshër bektashinj.
Darka e Baba Reshatit ishte një bashkim i të gjithë të ftuarve me pikëpamje politike të ndryshme, demokratë, socialistë, republikanë, ballistë, zogistë, e me radhë. Ishte Dashamir Shehi, Servet Pellumbi, Ekrem Bardha, Moikom Zeqo, Xhevahir Shapiu, unë dhe gruaja ime, Sadija dhe shumë të tjerë . Atje u kënduan këngë, u ngritën dolli, u fol për bektashizmin dhe Naim Frashërin. Më kujtohet se duke më ndihmuar Baba Reshati dhe Servet Pellumbi, bashkë me Dashamir Shehin, unë thashë afërsisht, një mendim të shprehur dikur në një konferencë apo seminar:
« Udhë e veçantë në zbulimin e kozmosit të njeriut, por edhe në përcaktimin e misionit të njeriut në jetë, si qenie e ndërgjegjshme është udha e bektashinjve dhe bektashizmi. Bektashizmi në hapësirën e shpirtit të njeriut kërkon jo vetëm harmoninë e vlerave, por edhe harmoninë e këtyre vlerave me detyrat e tij ndaj jetës, shoqërisë dhe atdheut. Jo vetëm kaq. Bektashizmi kërkon harmoninë e gjithë këtyre vlerave me përendinë dhe me kërkesat e saj, harmoninë me besimet e tjera fetare, me diturinë dhe me sendet e gjithësisë. Këtë harmoni e shpreh më mirë se kush biri më i madh i harmonisë, Naim Frashëri në « Fletoren e Bektashinjve », ku shkruan : « Besë e bektashinjve », ku shkruan : « Besë e bektashinjve është udhë e gjerë, që ka përpara dritën, urtesinë, vëllazerinë, miqësinë, dashurinë, njerezinë dhe gjithë mirësitë. Me një anë ka lulet e diturisë, me anën tjetër të së vërtetës.»
Dhe më poshtë Naimi thotë së Bektashinjte « duan si shpirtin e tyre edhe të tjerët myslimane e të krishtere dhe shkojnë mirë e bukur me gjithë njerëzinë. Po më shumë duan mëmëdhenë dhe mëmëdhetarët, që kjo është më e mira nga gjithë të mirat ».
Për bektashinjtë shqiptarë, kupola e vlerave dhe detyrave të njeriut mbahet në tri kolona të fuqishme : në kolonën e moralit, në kolonën e diturisë dhe në kolonën e atdhedashurisë. Në të tria këto kolona është përendia, pa të cilën nuk mund të ketë harmoni ».
Pas kësaj, mbremja u bë edhe më e gezuar. Baba Reshati filloi të kendojë këngë patriotike dhe lirike, kurse Xhevahir Spahiu hoqi një valle.
Kur mbaruan këngët, ra një heshtje e shkurter, ndërkohe trokitëm gotat. Baba Reshati ngriti një dolli për gjithë pjesemarresit, pastaj veçanerisht për Ekrem Bardhen, që e kishte sponsorizuar këtë darke. I hodhi sytë drejt meje me gotë në dorë dhe tha:
*Do të ngre një shëndet edhe për ty që rrjedh nga një fis bektashinjsh, por ma ke prishur qejfin në atë intervisten në televizion me ato fjalët që the se je ateist.
Unë u ngrita në këmbë dhe thashë: Ti që me gjete me këtë dolli, të gjetë e mira ! po, do të më pranosh të shpreh një dëshirë: Po të bësh nja tridhjetë darka të tilla, unë kthehem nga ateist në Bektashi.
Me këtë shaka qeshën me dashamirësi të gjithë, qeshi dhe i Miri Baba Reshat.
*2 shkurt 2013, në fotografi Dritëro Agolli dhe Baba Mondi