Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi në mbledhjen e fundit Strategjinë Afatmesme të Zhvillimit të Bankës së Shqipërisë, 2019-2021. Sipas njoftimit zyrtar, kjo strategji siguron mbështetjen e duhur programatike për Buxhetin Orientues Afatmesëm për vitet 2020 dhe 2021.
Strategjia synon t’u japë një përgjigje proaktive sfidave të mjedisit ku operon Banka e Shqipërisë; të rrisë bashkëpunimin brenda institucionit; të nxisë përdorimin efektiv dhe eficient të burimeve; si dhe të promovojë transparencën dhe llogaridhënien publike.
Strategjia përfshin funksionet kryesore të Bankës: politikat (politika monetare, rezerva valutore, mbikëqyrja bankare), infrastrukturën financiare (emisioni i parasë, sistemet e pagesave); mirëqeverisja (auditi, komunikimi dhe edukimi financiar); funksionet e tjera (kërkimet, statistikat); dhe shërbimet mbështetëse (burimet njerëzore, çështjet juridike, kontabiliteti dhe financa, prokurimet dhe shërbimet, IT).
Informacioni për zbatimin e Strategjisë Afatmesme të Zhvillimit është pjesë e rregullt e raporteve vjetore të Bankës së Shqipërisë.
Në mbledhjen e të hënës Banka e Shqipërisë miratoi edhe buxhetin për vitin 2019 dhe buxhetin orientues afatmesëm për vitet 2020-2021. Buxheti i miratuar për vitin 2019 dhe ai orientues afatmesëm për vitet 2019-2020 garanton përmbushjen e objektivave strategjike të Bankës së Shqipërisë të parashikuara në Strategjinë e saj Afatmesme të Zhvillimit.
Në hartimin e tij janë mbajtur parasysh situata aktuale në tregjet ndërkombëtare financiare, zhvillimet ekonomike dhe financiare brenda vendit, shpenzimet korrente dhe ato kapitale të domosdoshme për miradministrimin e aktiveve dhe burimeve njerëzore.
Buxheti i Bankës së Shqipërisë për vitet 2020 – 2021, ndër të tjera, synon përsosjen e mëtejshme të kuadrit të politikës dhe të operacioneve monetare, zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve profesionale të Bankës së Shqipërisë, furnizimin e ekonomisë me kartëmonedhë cilësore, përpunimin me kujdes të saj, si dhe përsosjen e komunikimit dhe transparencës me publikun.