I çliruar nga akademizmi dhe ati i padiskutueshëm i modernitetit, Mane është çast historik, një pikë referimi ideale midis pikturës klasike dhe pikturës moderne, që lidhet me Traditën e Madhe.
Eduard Mane kontribuoi në ripërtëritjen e gjuhës figurative me vepra të tilla, si “Mëngjesi në bar” dhe “Olimpia”, e cila i shokoi jashtëzakonisht shumë bashkëkohësit. Këto kryevepra dalë nga dora e një mjeshtri të patëdytë skandalizuan shoqërinë konservatore. Shndërruar në simbole, arketipe, ikona, hija e artit modern, ato mbeten imazhe kaq fantastike, kaq të padepërtueshme. Dëshmi e një realiteti që sapo kishte nisur të përvijohej, Mane vijoi me kapjen e drejtpërdrejtë të bukurisë së natyrës, përvetësimin e motiveve, fragmenteve, zbrazëtinë, të parealizueshmen, shpërbërjen e veprave të artit të së kaluarës dhe muzeve etj.
Duke pikturuar lakuriqësinë si një natyrë të vdekur dhe natyrën e vdekur (Shpargun) si një furçë shtytëse që i referohet pikturës, Manet ishte iniciatori i pikturës lakuriqe dhe autonome.
Përkundër kundërshtimit të të atit, Eduard Mane e filloi që herët karrierën e tij artistike. Stili personal u formësua mbi njohuritë e veprave të artit të mjeshtrave të mëdhenj të së kaluarës, që ai pati mundësi t’i studionte gjatë udhëtimeve të shumta, udhëtime që e çuan në Holandë, Itali, Austri dhe Gjermani, duke analizuar dhe admiruar stilin tonal të Xhorxhiones, Gojas, Velaskezit, Tizianos apo piktorëve holandezë të viteve 1600. Stili i tij piktoresk u ndikua dhe falë njohurive të gravurës japoneze. Prej vitit 1856, ai studioi në Akademi, duke ndjekur leksionet e Leon Bonatit. Në Akademi, Mane njohu artistë të famshëm dhe shumë intelektualë. Falë piktores franceze Bert Moriso, hyri në rrethin e piktorëve impresionistë, duke lidhur miqësi me Edgar Degas, Kamij Pisarro, Klod Mone, Alfred Sislej, Pier-August Renuar, Pol Sezan. Në vitin 1862, pas vdekjes së të atit, trashëgoi një pasuri të madhe, që i mundësoi një jetesë të qetë dhe t’i dedikohej artit deri në fund të jetës. Në këtë periudhë realizoi një nga veprat e tij më të famshme: “Mëngjesi në bar”, e cila ngriti polemika të shumta, sepse u konsiderua si vepër e turpshme.
Gjatë këtyre viteve ai mori pjesë në diskutimet e impresionistëve në kafenenë “Guerbois” dhe në kafenenë e “Nouvelle Athènes”, por duke treguar një qëndrim thelbësisht të çinteresuar ndaj grupit. Mane, në fakt, asnjëherë nuk deshi të identifikohej me grupin e impresionistëve, madje nuk mori pjesë në asnjë nga ekspozitat e tyre. Megjithatë, pavarësisht shkëputjes së dukshme ndaj lëvizjes, në ditët e sotme ai konsiderohet si personi që kontribuoi në lindjen e saj. Duke mbrojtur parimin e lirisë shprehëse të artistit, ai pikturoi vepra absolutisht revolucionare për kohën, veprim që shkaktoi skandal në mesin e bashkëkohësve të tij, si “Mëngjesi në bar” dhe “Olimpia”. Në vitin 1879, artisti u godit nga një sëmundje e rëndë, ataxia lokomotore, e cila do ta shoqëronte deri në vdekjen e tij më 30 prill 1883.
Debutimi i Manet si piktor hasi në rezistencën e kritikës, e cila nuk u zbut deri në fund të karrierës së tij. Qëndrimi i guximshëm dhe qasja e pandërprerë e Manetit ndaj pikturës vetjake dhe botës së artit, i siguroi jo vetëm atij, por edhe punës së tij një vend të rëndësishëm në historinë e artit modern.