MENU
klinika

Raporti i BSH-së

Debitorët e këqinj kthyen 64 miliardë lekë

06.05.2019 - 14:32

Kredia me probleme vijoi rënien me ritme të mira gjatë 3 mujorit të fundit të vitit 2018. Gjatë periudhës, kreditë e këqija rane me gati 17% në nivelin, ose 64 miliardë lekë.

Si rezultat, raporti i kredive me probleme zbriti në nivelin 11.1%, duke qenë rreth 2.2 pikë përqindjeje më i ulët se në fund të gjysmës së parë të vitit.

Sipas kontributit, në rënien e kredive me probleme kanë ndikuar shlyerjet (për gati 17.6 miliardë lekë), fshirjet e kredive të humbura (për gati 4.5 miliardë lekë) dhe ristrukturimet.

Të dhënat janë bërë të ditura në raportin e fundit të publikuar nga Banka e Shqipërisë, ku mëoshet se që prej fillimit të vitit 2015, vlerësohet se bankat kanë larguar nga bilancet e tyre gati 55.5 miliardë lekë kredi të humbura.

Pakësimi i kredive me probleme është shoqëruar me uljen më të shpejtë të rezervave për rrezikun e kredisë (provigjioneve), gjë që ka sjellë uljen e raportit të mbulimit të tyre me provigjione me rreth 0.8 pikë përqindje, në nivelin 65.6%.

Pavarësisht rënies së raportit të mbulimit me provigjione, mbulimi me kapital i kredive me probleme neto është përmirësuar. Mbulimi me kolateral mbetet gjithashtu në nivele të larta.

Megjithë përmirësimin, është e nevojshme që bankat të ruajnë ritmet e uljes së kredive me probleme. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për ato banka për të cilat niveli i kredive me probleme është mbi mesataren e sektorit.

Vlerat e arkëtimeve të kredive me probleme paraqiten në nivele të mira, duke evidentuar përpjekjet e bankave për arkëtimin e tyre dhe duke forcuar qëndrueshmërinë e prirjes rënëse të kredive me probleme.

Mbiçmimi i kursit të këmbimit dhe normat më të ulëta të interesit kanë ndikuar në përmirësimin e aftësisë paguese të huamarrësve.

Megjithatë, vëmendje duhet treguar për kreditë “standard” që lëvizin drejt klasave të kredisë me probleme, pasi në dy vitet e fundit flukset nga klasat performuese, drejt atyre joperformuese, kanë qenë relativisht të qëndrueshme.

Kjo evidenton nevojën për ruajtjen e kujdesit në procesin e dhënies dhe monitorimit të kredisë.

Rreziku i likuiditetit në veprimtarinë bankare mbetet i ulët. Raportet e aktiveve likuide, në lekë dhe valutë, ndaj detyrimeve afatshkurtra, janë ndjeshëm mbi nivelet minimale të kërkuara nga kuadri rregullator.

Burimi kryesor i financimit të veprimtarisë së bankave mbeten depozitat, që zënë gati 81% të detyrimeve dhe që mbulojnë me mbi dy herë vëllimin e kredive të sektorit.

Krahas rënies së mëtejshme të depozitave me afat në strukturën e depozitave të sektorit bankar, gjatë periudhës u vërejt edhe rritja e mëtejshme e depozitave në valutë, si nga individët ashtu edhe nga bizneset, ndonëse në peshë nuk ka pasur ndryshime të ndjeshme.

Ky është një zhvillim që reflekton praninë e gjerë të valutës në ekonomi, e cila shoqërohet me sfida në drejtim të efektivitetit të politikave ekonomike dhe financiare, si edhe me rreziqe të caktuara për stabilitetin financiar.

Ndaj, në zbatim të Memorandumit Ndërinstitucional për Fuqizimin e Përdorimit të Monedhës Vendase në ekonomi dhe në sistemin financiar, është e nevojshme që autoritetet përkatëse të ndërmarrin veprime konkrete në drejtim të uljes së përdorimit të valutave nga agjentët realë të ekonomisë.

Banka e Shqipërisë është e gatshme që në këtë proces të ofrojë të gjithë bashkëpunimin e nevojshëm.