Në futboll vëmendja është përqendruar totalisht tek ekipi kombëtar, ndërsa në lojërat me dorë, gara ka nisur e fortë në volejbollin dhe basketbollin shqiptar. Tirana e Vllaznia vazhdojnë të ndajnë mes tyre kreun e renditjes së kampionatit në volejboll për meshkuj edhe pas ndeshjeve të javës së tretë, pas fitoreve 3-1 të arritura sot pasdite ndaj rivalëve të tyre.
Bardheblutë e trajnerit Koja mundën me lehtësi 3-1 Studentin në derbin kryeqytetas luajtur në “Asllan Rusi”, një ndeshje në përgjithësi e dominuar nga skuadra e Tiranës, ndjeshëm më superiore se rivalët.
Me të njëjtën monedhë, me fitore, kundërpërgjigjet edhe Vllaznia, që një javë pasi mundi kampionët e Erzenit arrin të fitojë edhe ndaj nënkampionëve të Partizanit, këtë herë jashtë fushe dhe duke marrë 3 pikë të rëndësishme.
Partizani i përforcuar edhe me lojtarë të huaj duket ende një skuadër në ndërtim, i pakonsoliduar në sulm e mbrojtje, duke gabuar shumë. Por, mbi të gjitha, është një ekip që ka harruar të fitojë, duke pësuar humbjen e dytë në po kaq takime dhe ndodhet në fundin e klasifikimit.
Rikthehet te fitorja në kampionat Erzeni kampion, që në fushën e tij mposhti me shumë lehtësi 3-0 Elbasanin e vendit të fundit, në një takim që zgjati vetëm 60 minuta. Miqtë nuk arritën në asnjë moment të vënë në vështirësi shijakasit, që patën epërsi në fushë në çdo drejtim dhe e merituan fitoren.
Vijon paraqitjet e mira në kampionat edhe Skënderbeu, që në Korçë mundi 3-0 Teutën. Miqtë nga Durrësi tentuan surprizën vetëm në setin e dytë, ku rivalizuan dhe u mundën në shtesë, pasi pjesa tjetër e takimit ishte një monotoni, gjithnjë nën komandën e korçarëve, që ndodhen në “top-4” të renditjes.
Volejboll – Meshkuj, Java e 3-të (13 tetor)
Skënderbeu – Teuta, 3-0 (25-17, 27-25, 25-12)
Studenti – Tirana, 1-3 (9-25, 19-25, 25-22, 21-25)
Erzeni – Elbasani, 3-0 (25-11, 25-20, 25-15)
Partizani – Vllaznia, 1-3 (25-23, 21-25, 22-25, 19-25)
Farka Volley (pushim)
Renditja: Tirana 8 pikë (3/0), Vllaznia 8 pikë (3/0), Erzeni 7 pikë (2/1), Skënderbeu 7 pikë (2/1), Farka Volley 3 pikë (1/1), Studenti 3 pikë (1/2), Partizani 0 pikë (0/2), Teuta 0 pikë (0/2), Elbasani 0 pikë (0/3).
VOLEJBOLL FEMRA
Tirana dominon edhe për femrat në volejboll. Java e dytë e Kampionatit Kombëtar të Volejbollit për femra ka dhuruar mjaft surpriza e emocione, ku spikat humbja e parë e skuadrës kampione të Partizanit, që u mund 3-1 nga Tirana në derbin kryeqytetas.
Një ndeshje e dobët e skuadrës së “kuqe”, që edhe pse fitoi një set nuk ishte në gjendje të përballojë ritmin e lojës së diktuar nga volejbollistet bardheblu. Lojtaret e trajnerit Gorenxa bënë një ndeshje të shkëlqyer, duke i dhënë një leksion të mirë Partizanit kampion.
Fiton edhe ekipi i Barleti Volley, që mundi me lehtësi 3-0 Vllazninë në “Asllan Rusi”, ndeshje e dominuar nga volejbollistet kryeqytetase, që në të trija setet ishin superiore në fushë, duke e merituar fitoren.
E njëjta situatë edhe në Rrëshen, ku skuadra e Mirditës mundi me lehtësi 3-0 Teutën, ndeshje në sens unik në të trija setet. Vendaset zhvilluan një lojë të mirë dhe nuk zhgënjyen para fansave të shumtë që ndodheshin në sallën sportive “A.Arapi”, ku rikthehet volejbolli elitar.
Suksesin e parë në kampionat kori Skënderbeu, që në Korçë mundi me lehtësi 3-0 Lushnjën e vendit të fundit. Mikeshat myzeqare tentuan të rivalizojnë, por pa sukses, duke mos arritur dot të fitojnë as edhe një set.
Volejboll – Femra Grupi A1, Java e 2-të (13 tetor)
Mirdita – Teuta, 3-0 (25-12, 25-15, 25-16)
Skënderbeu – Lushnja, 3-0 (25-12, 25-18, 25-18)
Barleti Volley – Vllaznia, 3-0 (26-24, 25-16, 25-13)
Tirana – Partizani, 3-1 (25-16, 25-19, 19-25, 25-19)
Renditja: Tirana 6 pikë (2/0), Barleti Volley 5 pikë (2/0), Mirdita 4 pikë (1/1), Partizani 3 pikë (1/1), Teuta 3 pikë (1/1), Skënderbeu 3 pikë (1/1), Vllaznia 0 pikë (0/2), Lushnja 0 pikë (0/2)
BASKETBOLL FEMRA
Flamurtari kampion i Shqipërisë në basketboll për femra është mundur 66-58 nga Sh.B.Tirana, në ndeshjen e vlefshme për javën e dytë të Kampionatit Kombëtar, luajtur sot në mbrëmje në “Fahrie Hoti”.
Një përballje e fortë mes dy prej ekipeve pretendente për titull, që rivalizuan deri në fund për të marrë fitoren, por basketbollistet kryeqytetase arritën të mposhtin mikeshat bregdetare.
Surpriza e deritanishme e Grupit A për femra në basketboll është Vllaznia, që sot korri suksesin e dytë në kampionat në po kaq ndeshje të luajtura, duke mundur 66-53 Elbasanin në fushën e këtij të fundit.
Basketboll – Kategoria e Parë, Femra Grupi A, java e dytë
Studenti – Sh.K.B. Tirana, 60-99
Elbasani – Vllaznia, 53-66
Sh.B.Tirana – Flamurtari, 66-58
Renditja: Sh.K.B.Tirana 4 pikë (2/0), Vllaznia 4 pikë (2/0), Flamurtari 3 pikë (1/1), Sh.B.Tirana 3 pikë (1/1), Studenti 2 pikë (0/2), Elbasani 2 pikë (0/2).
BASKETBOLL MESHKUJ
Goga Basket i ka dhënë një leksion Tiranës kampione në basketboll për meshkuj, duke fituar 102-75 në ndeshjen e vlefshme për javën e dytë të Kampionatit Kombëtar. Takimi i luajtur në mjediset e Akademisë “Dhimitraq Goga” u dominua nga basketbollistët vendës, që treguan epërsi në fushë në të katërta periodat, duke e dominuar lojën dhe merituar fitoren.
Ky sukses që e mban skuadrën durrsake në krye të renditjes së Superligës pas dy javëve të para me 4 pikë të plota, një ekip që ende nuk ka asnjë humbje me të rriturit në historinë e tij (vjet doli kampion në Kategorinë e Parë).
Basketboll – Superliga Meshkuj, java e dytë
Teuta – Vllaznia, 101-46
Kamza Basket – Partizani, 58-100
Goga Basket – Tirana, 102-75
Renditja: Partizani 4 pikë (2/0), Goga Basket 4 pikë (2/0), Teuta 3 pikë (1/1), Tirana 3 pikë (1/1), Kamza Basket 2 pikë (0/2), Vllaznia 2 pikë (0/2).