MENU
klinika

Play Off

NBA/ ‘Aromë’ gjysmëfinaleje për Bucks dhe Rockets

21.04.2019 - 15:16

Milwaukee Bucks dhe Houston Rockets janë pranë kalimit në fazën tjetër të play off-it në NBA.

Skuadra më e mirë e sezonit të rregullt ishte shumë e fortë për Detroit Pistons që u mposht edhe në ndeshjen e tretë nga Milwaukee Bucks që tashmë kryeson bindshëm 3-0 serinë mes tyre.

As rikthimi në parketin e saj nuk i mjaftoi skuadrës nga Michigan pasi në Little Caesars Arena, Bucks triumfuan me shifrat e thella 119-103, ku një meritë e jashtëzakonshme për këtë sukses i shkon treshes Middleton-Bledosoe-Brook Lopez pasi bënë diferencën edhe në një ndeshje ky ylli i Bucks greku Giannis Antetokounmpo nuk shfaqi nivelin e tij më të mirë dhe realizoi vetëm 14 pikë në total.

Nuk kishte shumë histori sfida e zhvilluar në Michigan, pasi Milwaukee ishte dukshëm superior ndaj Detroit duke e mbyllur pjesën e parë në avantazhin e plot 17 pikëve, ndërsa në fraksionin e dytë administroi shumë mirë rezultatin.

Të pamjaftueshme 27 pikët e yllit të Pistons Blake Griffin i cili rezultoi edhe pikëshënuesi më i mirë i ndeshjes.

Ashtu si Bucks në Lindje edhe Houston Rockets në Perëndim e çoi në 3-0 në favor serinë çerekfinale ndaj Utah Jazz. Në Salt Lake City, skuadra teksane fitoi me rezultatin e ngushtë 104-101 falë 40 pikëve të realizuara nga dyshja James Harden-Chris Paul.

Një sukses në transfertë që sheh pothuajse si të kualifikuar Houston Rockets që me një fitore mund të avancojë në gjysmëfinalet e Perëndimit.

Një paraqitje fantastike zhvilloi Mitchell, autori i 34 pikëve për Jazz por që nuk mundi të evitonte dot humbjen e Utah.