Merkatoja e basketbollit për meshkuj në vendin tonë vazhdon të dhurojë surpriza.
Pas Vllaznisë dhe Goga Basket edhe ekipi i Teutës i është drejtuar tregut të huaj për përforcime. Sipas një informacioni që skuadra durrsake ka dhënë sot në rrjetet sociale konfirmon se klubi ka nënshkruar një marrëveshje me 3 lojtarë të huaj.
Bëhet fjalë për dy basketbollistë amerikanë, Michael McDevitt dhe Mitchell Pelissier.
I pari është një lojtar qendër, që në Europë ka luajtur më parë edhe në Suedi, por më së shumti është aktivizuar në kolegjet amerikane.
Ndërsa për Pelissier, një lojtar anësor, kjo është përvoja e parë jashtë Amerikës. Basketbollisti i tretë është malazezi Filip Bakic, që luan si organizator, një lojtari i ri, që ka spikatur me moshat e kombëtares së vendit të tij.
Ai ka luajtur edhe më parë në Ligën Ballkanike, turne ku Teuta synon të jetë pjesëmarrëse edhe këtë vit (vjet durrsakët shkuan deri në finale).